Projektligji i ri për provimin e maturës shtetërore synon ta luftojë fenomenin e kopjimit duke vënë masa të rrepta për personat dhe institucionet të cilët shkelin rregullat. Aty parashihen gjoba deri në 20 mijë euro në rast keqpërdorimesh. Përderisa Ministria e Arsimit e konsideron hap të nevojshëm, përfaqësues të opozitës dhe organizatave arsimore vlerësojnë se këto masa nuk janë të mjaftueshme.
Kopjimi në testin e maturës është bërë thuajse “traditë” në Kosovë.
Por këtë herë, loja me rregullat mund të kushtojë shtrenjtë.
Projektligji për provimin e maturës shtetërore, që pritet të marrë dritën jeshile edhe në Kuvend, parasheh masa ndëshkuese të ashpra, në nenin 24 ku parashihen masat për kundërvajtjet.
Çdo qasje e paautorizuar në dokumente të klasifikuara si sekrete, sipas këtij neni, mund të ndëshkohet deri në 2 mijë euro për personat fizikë, e për ata juridikë gjoba shkon deri në 15 mijë euro.
Përgjegjësia rëndohet edhe më shumë për zyrtarët që lejojnë kopjimin apo keqpërdorimin sistematik gjatë provimit.
Për ta, parashihen gjoba deri në 2 mijë euro për individë, e deri në 20 mijë euro për institucione.
Një mekanizëm i tillë me masa ndëshkuese konsiderohet se mund të ndikojë pozitivisht sipas ministrit të Arsimit, Hajrulla Çeku.
“Për shkak të një përvoje jo të mirë viteve të kaluara dhe një nga elementet që grupi ka propozuar është rritja e sanksioneve…Një nga aspektet e rëndësishme se sim und të sigurohemi për integritet të provimit të maturës”, ka thënë Hajrulla Çeku, ministër i Arsimit.
Ndërsa, anëtarja e Komisionit për Arsim nga LDK, Jehona Lushaku-Sadriu, kritikon faktin që projektligji nuk e ndalon në mënyrë absolute qasjen në internet.
“Unë propozova që të shtohet konkretisht një pikë ku u ndalohet qasja në internet të gjitha dhomave, klasave ku mbahet testi I maturës, kjo nuk hyri për shkak se fatkeqësisht nuk u votua. Ne nuk kemi bë asgjë nëse në kushtet e njëjta mbahet testi i maturës, edhe prapë testet vazhdojnë që të qarkullojnë”, ka thënë Jehona Lushaku-Sadriu, anëtare e Komisionit për Arsim.
Drejtori i organizatës “ETEA” që monitoron vazhdimisht procesin e mbajtjes së testit të maturës, konsideron se sanksionimi më i ashpër nuk është i mjaftueshëm që ta ndalë kopjimin.
“Personalisht konsideroj që jo, për shkak se ish dashtë me u prekë edhe në pika të tjera, një mësimdhënës që toleron kopjimin nuk e meriton të jetë mësimdhënës, prandaj në këtë nen ish dashtë me u përfshi edhe heqja e licencës së mësimdhënies, ose edhe degradimi në detyrë i personave përgjegjës siç janë drejtorët e shkollave”, ka thënë Agon Ahmeti, organizata për arsim “ETEA”.
Më 20 prill, Komisioni parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, miratoi Projektligjin për Provimin e Maturës Shtetërore, pavarësisht kërkesave të opozitës për ndryshime shtesë./Tv Dukagjini/