Përpjekja e fundit e kryeministrit Albin Kurti për të zhbllokuar krizën rreth zgjedhjes së Presidentit të ri ka hasur në refuzim të menjëhershëm nga opozita, e cila e ka cilësuar ofertën e tij si të vonuar, taktike dhe të motivuar politikisht.
Vetëm tri ditë para skadimit të afatit kushtetues – që përfundon të martën, më 28 prill – Lëvizja Vetëvendosje doli me një propozim të ri publik, duke ftuar PDK-në dhe LDK-në që të propozojnë së bashku tre kandidatë për President, nga të cilët më pas do të zgjidhej njëri nga Kuvendi, transmeton lajmi.net.
Në komunikatën e saj, VV tha se po ndërmerr këtë hap “për të shmangur një proces tjetër zgjedhor” dhe për të ruajtur stabilitetin institucional, duke shtuar se kandidatët duhet të jenë figura unifikuese dhe jashtë skenës aktuale politike.
Megjithatë, opozita e ka lexuar ofertën si një përpjekje të Kurtit për të shmangur përgjegjësinë për krizën politike dhe për ta zhvendosur fajin te partitë opozitare.
LDK e sfidon Kurtin me Vjosa Osmanin
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, iu kundërpërgjigj publikisht Kurtit, duke e vënë në qendër të reagimit të tij emrin e presidentes aktuale, Vjosa Osmani.
Abdixhiku tha se nëse Kurti kërkon marrëveshje politike me LDK-në, atëherë kjo parti është e gatshme të propozojë vetë kandidatin për President – madje edhe vetë Osmanin.
“Presidentin e propozojmë ne me plot përgjegjësi. Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na i garantoni 66 vota për të”, deklaroi Abdixhiku.
Ai gjithashtu ironizoi qasjen e Kurtit, duke kërkuar që fillimisht të sqarojë se me kë po synon marrëveshje.
“Përcaktohuni a doni marrëveshje politike me LDK-në, apo i doni 90 vota edhe me PDK-në. Nëse është kjo e dyta dhe nuk mundeni pa ta, atëherë nuk mund t’ju ndihmojmë”, tha ai.
Deklarata e Abdixhikut shihet si një kundër-ofertë direkte ndaj Kurtit, duke ia kthyer në tavolinë emrin e Vjosa Osmanit – figurë që kishte ardhur në presidencë pikërisht me mbështetjen e Vetëvendosjes.
PDK: Oferta e Kurtit është “lojë politike në minutat e fundit”
Edhe PDK e hodhi poshtë ofertën e VV-së, me kryetarin Bedri Hamza që akuzoi Kurtin se po përpiqet të manipulojë opinionin publik dhe të fshehë përgjegjësinë për bllokadën institucionale.
“Ajo që pamë nuk ishte reflektim, por vetëm ndryshim i formës së manipulimit”, tha Hamza.
Sipas tij, Kurti nuk po kërkon konsensus real, por po tenton të imponojë vullnetin e tij mbi opozitën.
“Edhe tani ai po kërkon nënshtrim, jo bashkëpunim. Po e kërkon përkrahjen tonë, jo për shtetin, por për pushtetin e tij”, deklaroi Hamza.
Ai shtoi se PDK ka ofruar zgjidhje konkrete ndërkohë që, sipas tij, Kurti ka refuzuar çdo kompromis.
“Nuk ishte i interesuar për konsensus. Nuk ishte i interesuar për kompromis. Kishte vetëm një qëllim: imponimin e një presidenti partiak për pushtetin e tij”, u shpreh lideri i PDK-së.
Hamza vlerësoi se oferta e re e VV-së, e bërë vetëm pak ditë para skadimit të afatit, nuk është përpjekje serioze për zgjidhje.
“Çdo ofertë e re tani në minutat e fundit është vetëm lojë politike për t’u arsyetuar dhe jo përgjegjësi shtetërore për të ofruar zgjidhje”, tha ai.
Për PDK-në, shton lideri i PDK-së, stabiliteti institucional nuk është objekt negocimi, por interes shtetëror.
“Dhe stabiliteti nuk ndërtohet me improvizime dhe kalkulime ditore politike. Ndërtohet me besim qytetar. Me legjitimitet të ri. Prandaj, duhet të kthehemi tek qytetarët. Le të vendosin ata për drejtimin që duhet të marrë vendi. Sepse demokracia nuk është vetëm numër votash, por është edhe mënyra sesi e përdor atë besim.”, tha ai.
Afati po skadon, marrëveshja ende larg
Me afatin kushtetues që skadon më 28 prill, vendi po hyn në orët më kritike të krizës politike, ndërsa distanca mes palëve mbetet e madhe.
VV po tenton ta paraqesë veten si pala që po ofron kompromis, por opozita po e akuzon se po vepron me vonesë dhe vetëm për konsum publik, pasi – sipas saj – kryeministri ka refuzuar për muaj të tërë të ndërtojë një konsensus real.
Nëse nuk arrihet marrëveshje deri të martën, Kosova rrezikon të futet në një krizë të re institucionale, me mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme që po shihet gjithnjë e më shumë si skenari i pashmangshëm./lajmi.net/