Federata Shqiptare e Futbollit ka firmosur një marrëveshje partneriteti me kompaninë Wizz Air, e cila do të jetë sponsor zyrtar dhe njëkohësisht kompania zyrtare e fluturimeve ajrore për FSHF-në.
Me këtë rast u zhvillua edhe ceremonia e prezantimit të marrëveshjes në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, ku u firmos bashkëpunimi 2-vjeçar mes palëve nga presidenti Armand Duka dhe përfaqësuesja e Wizz Air, Silvia Mosquera. Marrëveshja vjen si një hap i rëndësishëm për mbështetjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të futbollit shqiptar.

Në fjalën e tij, presidenti Armand Duka uroi mirëseardhjen e partnerit të ri në “komunitetin e futbollit”, duke e cilësuar Wizz Air si një kompani lidere në tregun shqiptar të fluturimeve dhe një pikë referimi për rajonin. Ai theksoi se kjo marrëveshje nuk është rastësi, por rezultat i punës, seriozitetit dhe vizionit afatgjatë të FSHF-së, si edhe i rritjes së nivelit të ekipit kombëtar.
“Për kompaninë Wizz Air, si partner i ri i Federatës Shqiptare të Futbollit, ju uroj mirëseardhje në komunitetin e futbollit. Sot, siç jeni të lajmëruar, jemi për të bërë publike finalizimin e një marrëveshjeje që FSHF ka arritur me kompaninë e mirënjohur, do të thoja lider për tregun shqiptar të fluturimeve, Wizz Air.
Wizz Air është bërë pikë referimi për fluturimet rajonale dhe për këtë ne duhet të jemi falënderues të gjithë. Ne jemi shumë të nderuar dhe të respektuar që sot Federata e Futbollit nënshkruan këtë marrëveshje me kompaninë e fluturimeve.
Në përgjithësi, në deklarimet apo publikimet e sponsorëve ne nuk kemi thënë numra, por sot dua të deklaroj që Wizz Air është sponsori më i ri, partneri më i ri i FSHF-së, i 17-ti në numër, por është një gjë jubilare sepse plotëson shifrën 10 milionë euro të ardhura për Federatën e Futbollit, për futbollin shqiptar nga sponsorizimet.
Kjo nuk është një rastësi, numri në rritje i sponsorëve apo partnerëve, por është fryt i punës, seriozitetit apo vizionit afatgjatë të Federatës së Futbollit, është fryt i dashurisë që kanë të gjithë shqiptarët për futbollin. Është fryt i punës së ekipit Kombëtar, që sot nuk është më një skuadër për të plotësuar grupin, është një skuadër që lufton për ta fituar atë në çdo rast në kualifikuese”, – u shpreh Presidenti Duka.
“Unë jam shumë i bindur që kompania Wizz Air, por jo vetëm Wizz Air, por të gjithë ata që bashkëpunojnë dhe besojnë në vizionin tonë do të kenë rezultate pozitive dhe do të rriten bashkë me ne.

Në këtë vit ne do të përfundojmë edhe një platformë bashkë me partnerët tanë, përfshirë edhe Wizz Air, për tifozët e ekipit Kombëtar, një platformë që do të shtojë numrin e atyre që mbështesin Kombëtaren dhe do të kenë benefite jo vetëm nga Federata e Futbollit, por nga të gjithë partnerët tanë, përfshirë edhe Wizz Air.
Ky është vizioni ynë, që të gjithë bashkë të mund të arrijmë më shumë. Dua të theksoj diçka: të gjithë partnerët që besojnë në futbollin shqiptar dhe që e mbështesin, e bëjnë këtë pa pasur një ligj i cili do të lehtësonte barrën e tyre fiskale apo do t’i ndihmonte ata. Nëse ky ligj do të ishte, numri i partnerëve do të ishte më i madh”, – theksoi Presidenti i FSHF-së.
“Për ta përfunduar, unë dua të falënderoj të gjithë ata që kanë bërë të mundur këtë marrëveshje. Falënderoj kompaninë Wizz Air, përfaqësuesit e saj, falënderoj përfaqësuesit e aeroportit të Tiranës dhe shpreh edhe njëherë bindjen dhe besimin që të gjithë bashkë do të rritemi akoma më shumë”, – tha Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Përfaqësuesja e Wizz Air, Silvia Mosquera, u shpreh e lumtur për këtë bashkëpunim dhe theksoi fuqinë që ka futbolli për të bashkuar njerëzit.
“Jemi të lumtur të ndajmë lajmin që do të jemi kompania zyrtare e fluturimeve e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Futbolli ka një fuqi unike për të bashkuar njerëzit dhe komunitetet. Kombëtarja shqiptare përfaqëson ekselencën sportive, si edhe pasionin dhe krenarinë kombëtare. Ndaj është një nder i madh për ne që të lidhemi me një simbol kaq të rëndësishëm të identitetit kombëtar.
Vlerat e Wizz Air përfshijnë lidhjen e njerëzve, ambicien, punën në grup dhe përkushtimin ndaj ekselencës. Mendoj se këto vlera i kemi të përbashkëta me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe jemi shumë krenarë që mund të lidhim ekipin, tifozët dhe diasporën shqiptare në të gjithë Europën.
Në emër të Wizz Air dua të falënderoj Federatën Shqiptare të Futbollit për besimin dhe këtë partneritet. Forca Shqipëri!”, – tha znj. Mosquera.
Për të festuar këtë partneritet dhe për t’i sjellë tifozët edhe më afër aksionit, Wizz Air po lançon gjithashtu një promovim të veçantë për të gjithë udhëtarët që fluturojnë për në dhe nga Tirana.
Pasagjerët mund të përfitojnë një zbritje prej 15% në të gjitha itineraret për nisjet dhe mbërritjet në Tiranë, duke përdorur kodin KUQEZI15. Oferta është e vlefshme për rezervimet e bëra midis 14 dhe 17 prillit 2026, për udhëtime midis 20 prillit dhe 15 qershorit 2026.