BallinaLajmeÇfarë përmbajnë planet për paqe me Iranin?

Çfarë përmbajnë planet për paqe me Iranin?

Të ngjajshme

Mohammad Baqer Qalibaf – njeriu me të cilin SHBA-ja mund të jetë duke komunikuar në Iran

Raportimet e kësaj jave sugjerojnë se administrata e presidentit...

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë ndaj Polonisë sonte

Në 3 vite në krye të Shqipërisë, Sylvinho ka...

Vrasja e 29-vjeçarit shqiptar në Itali, trupi i dorëzohet familjes

Trupi i 29-vjeçarit shqiptar që humbi jetën më 20...

Plani i Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës me Iranin përmban 15 pika, ndërsa ai i Teheranit vetëm pesë, por, secili prej tyre shkel vijat e kuqe të palës tjetër.

Hollësitë e planit amerikan nuk janë bërë të ditura, por është raportuar bujshëm për to. Besohet se ai është i ngjashëm në shumë mënyra me propozimet e bëra para se të fillonte lufta e tanishme kur Izraeli dhe SHBA-ja nisën bombardimet më 28 shkurt.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u ka thënë gazetarëve se “ka elemente të së vërtetës” në raportimet e mediave për 15 pikat.
Në planet konkurruese, elementet e reja mendohet se përfshijnë kërkesa nga të dyja palët lidhur me Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike për furnizimet globale me naftë, gaz dhe mallra të tjera, të cilën Irani tani po e mban të bllokuar.

Kërkesat e SHBA-së
Kërkesa më e rëndësishme e SHBA-së është ajo që presidenti amerikan Donald Trump e ka theksuar vazhdimisht. Ai gjithashtu thotë se Irani është pajtuar me të.

“Ata duan të bëjnë marrëveshje”, u tha ai gazetarëve në Zyrën Ovale më 24 mars. “Ata janë pajtuar se nuk do të zotërojnë kurrë ndonjë armë bërthamore”.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, përfshirë Izraelin dhe vendet kryesore evropiane, për shumë vite kanë shprehur shqetësim për mundësinë që Irani të zhvillojë armë bërthamore.

Por, Irani gjithmonë e ka mohuar se dëshiron ta bëjë këtë.

Edhe sikur kjo do të ishte e vërtetë, Irani tani ka udhëheqje të re dhe ka qenë shënjestër e sulmeve të mëdha nga SHBA dhe Izraeli, që nisën dy luftëra: e para në qershor të vitit të kaluar. Synimet e udhëheqësit suprem, Mojtaba Khamenei, i cili ende nuk është parë qëkurse u emërua më 8 mars, mbeten të paqarta.
Po ashtu, nuk është plotësisht e qartë se deri në çfarë mase ai apo aktorë të tjerë po marrin vendime në Teheran, apo në çfarë mase zyrtarët e lartë iranianë janë në gjendje të komunikojnë mes vete në mes të bombardimeve të vazhdueshme që kanë vrarë shumë figura të larta.

Trump tha më 25 mars se zyrtarët iranianë kanë “frikë” ta pranojnë se po bisedojnë me amerikanët, “sepse mendojnë se do të vriten nga njerëzit e vet”.

Plani me 15 pika besohet se përfshin një armëpushim njëmujor derisa të përpunohen hollësitë. Ai përfshin shumë kërkesa të tjera amerikane, si çmontimi i objekteve bërthamore iraniane, dorëzimi i rezervave të uraniumit të pasuruar tek Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), dhe pajtimi për të mos pasuruar uranium në të ardhmen.

Pika të tjera thuhet se vendosin kufizime mbi kapacitetet raketore të Iranit dhe ndalimin e mbështetjes së tij për forcat rajonale, si Hezbollahu, grupi libanez i shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni.

Derisa shumë nga këto ishin kërkesa amerikane edhe para luftës, disa, si rihapja e Ngushticës së Hormuzit dhe ndalimi i sulmeve iraniane ndaj objekteve energjetike rajonale, do të ishin përgjigje ndaj veprimeve të Iranit gjatë luftës që nga 28 shkurti.

Në këmbim, Irani do të përfitonte heqjen e sanksioneve dhe ndihmë nga SHBA-ja për një program civil të energjisë bërthamore.

“Parametrave të propozimit amerikan nuk u mungon ambicia: lehtësim sanksionesh në këmbim të lëshimeve të mëdha nga Irani”, tha për Radion Evropa e Lirë Naysan Rafati, analist për Iranin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.
“Por, nëse e kaluara është tregues, realizueshmëria e tij do të varej nga gatishmëria e republikës islamike për t’iu nënshtruar trysnisë në çështje që kanë qenë prej kohësh vijat e saj të kuqe. Në frontin bërthamor, për shembull, Teherani ka vazhduar të këmbëngulë në të drejtën për pasurimin e uraniumit… Ai gjithashtu e ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve për programin e tij raketor”, shtoi ai.

Qëndrimi i Iranit
Zyrtarët iranianë jo vetëm që kanë thënë se bisedimet nuk po zhvillohen, por edhe janë tallur me deklaratat e amerikanëve për këtë çështje, si për shembull, kur zëdhënësi ushtarak Ebrahim Zolfaqari tha se administrata Trump po “negocion me veten”.

“Asnjeri sikur ne nuk do të bëjë marrëveshje me ju. As tani. As kurrë”, theksoi ai më 25 mars.

Ndërkohë, disa nga kërkesat e Teheranit bien ndesh me qëndrimet amerikane.

Ndër to janë njohja e kontrollit ose autoritetit të Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit, së bashku me të drejtën për të vendosur tarifa kalimi, dhe të drejtën për një program të pakufizuar raketor.

Kërkesat e Iranit gjithashtu shkelin qartë vijat e kuqe të SHBA-së, sepse duan që Uashingtoni t’i mbyllë bazat e tij ushtarake në Gjirin Persik, të paguajë dëmshpërblime lufte dhe të garantojë se nuk do ta sulmojë më Iranin.

“Tani, të paktën, premtimi për lehtësim ekonomik dhe dhimbja nga sulmet e vazhdueshme duket se nuk do ta nxisin Iranin për të bërë ndonjë lëshim në shkallën që kërkon Uashingtoni”, tha Rafati.

“Regjimi në tërësi ende nuk e sheh pozicionin e tij në luftë si mjaftueshëm të dëshpëruar për t’i pranuar kushtet e SHBA-së”.

Fred Fleitz, nënkryetar i Qendrës për Sigurinë Amerikane në America First Policy Institute, ka një vlerësim të ngjashëm.

“Mendoj se sfida më e madhe është ta bindim regjimin iranian të pajtohet për diçka. Ne jemi ende në pikën ku duhet t’i bëjmë ata të pranojnë të ulen për bisedime. Mendoj se kemi bërë disa përparime me disa kërkesa fillestare, por duhet të kemi një përfaqësues iranian që ulet me SHBA-në ose me një ndërmjetës për të filluar bisedimet”, i tha ai Radios Evropa e Lirë.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz