Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka kujtuar 24 marsin 1999, ditën kur nisën bombardimet e NATO-s mbi objektivat serbe, duke e cilësuar si një moment që ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës.
Në një postim në Facebook, ajo theksoi se ndërhyrja e 19 vendeve të NATO-s, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, erdhi si përgjigje ndaj dhunës së regjimit të Sllobodan Millosheviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës. Sipas saj, fushata ajrore 78-ditore u ndërthur me qëndresën e UÇK-së në terren, duke shënuar një kthesë vendimtare për vendin.
Ajo nderoi rolin e NATO-s, sakrificën e UÇK-së dhe kontributin e të gjithë atyre që luftuan për lirinë e Kosovës, duke shprehur gjithashtu mirënjohje për mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë që, siç u shpreh, nuk e lanë Kosovën vetëm në momentet më të vështira. /Lajmi.net/