BallinaLajmeSot konkursi për Drejtorin e Policisë së Shtetit, 14 kandidatët në garë

Sot konkursi për Drejtorin e Policisë së Shtetit, 14 kandidatët në garë

Të ngjajshme

Zhvillohet sot konkursi për përzgjedhjen e drejtorit të ri të përgjithshëm të policisë së Shtetit.

Duke nisur nga ora 9 e 30 do të nisin edhe seancat dëgjimore me të 14 kandidatët te Ministria e Brendshme të cilët do të shpalosin platformën e tyre për drejtimin e Policisë së Shtetit.

Çdo kandidat ka 20 minuta kohë për të shpalosur platformën e tij dhe më pas komisioni i posaçëm do t’i bëjë edhe pyetje.

Komisioni përbëhet nga kryetari, një zv.ministër i Brendshëm dhe nga dy anëtarë, sekretarja e përgjithshme ministrisë dhe drejtori i AMP. Kandidatët do të paraqiten sipas rendit alfabetik. Në total vlerësimi i tyre ka 100 pikë. Ku vlerësimi profesional ka 30 pikë maksimale, vlerësim moral dhe integriteti ka 10 pikë, vlerësimi organizativ dhe drejtues ka 50 pikë dhe element shtesë në vlerësim si gjuhët e huaja dhe titujt akademikë kanë 10 pikë.

Në fund të këtij procesi, brenda 48 orëve, pra deri më datë 26 mars, Komisioni i Posaçëm do t’i dorëzojë në bazë të ligjit Ministrit të Brendshëm listën me 5 kandidatët më të vlerësuar. Më pas Ministri i Brendshëm do t’i përcjellë Këshillit të Ministrave emrin e kandidatit më të vlerësuar dhe vendimi i Qeverisë për miratimin e emrit do të merret në mbledhje qeverie.

Në garën për kryepolic garojnë 14 drejtues, emra të njohur në polici si Pëllumb Seferi, Elidon Çela, Afrim Tafa, Tonin Vocaj, Skënder Hitaj, Gentian Berberi, Alfred Çepe, Arjanit Arapi, Gentjan Shehaj, Idajet Faskaj, Lorenc Panganika, Rebani Jaupi, Saimir Boshnjaku, dhe Neritan Nallbati.

Komisioni i Posaçëm ka kryer edhe verifikimin e pastërtisë së figurës për të 14 kandidatët e kualifikuar, duke kërkuar të dhënat përkatëse nga organet ligjzbatuese si, SPAK, SHISH, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, AMP dhe Agjencia e Informacionit të Sigurisë së Mbrojtjes (AISM). Burime konfidenciale i thanë A2 CNN se në mesin e kandidatëve kanë rezultuar edhe figura me probleme në bazë të informacioneve që Ministria e Brendshme ka marrë nga organet ligjzabtuese.

Gjithashtu, seancat dëgjimore do të ndiqen nga misionet partnere pranë Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, ICITAP dhe EU4LEA, në rolin e vëzhguesit të procesit. Në udhëzim thuhet se edhe përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, mund të marrin pjesë në seancat dëgjimore me kandidatët./Indeksonline/

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz