Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit, 5 marsi, mbaron brenda minutash, dhe Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin e ri.
Ka pasur interpretime të ndryshme nëse Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje.
Në nenin e Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit thuhet se presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para se të përfundojë mandati i presidentit aktual, që në rrethanat e tanishme është data 5 mars.
Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se edhe nëse Kosova nuk e zgjedh presidentin deri më 5 mars, vendi nuk do të përballet me zgjedhje.
Sipas tij, nëse nuk përmbushet ky afat 30-ditor, bëhet shkelje kushtetuese, por nuk ka pasojë juridike si shkuarja në zgjedhje.
Miftaraj shtoi se nuk ekziston një nen ku mund të bazohej dekreti për shpërndarjen e Kuvendit.
“Janë vetëm dy situata në të cilat shkohet në zgjedhje. E para, nëse, ta zëmë, më 5 mars fillon procesi për zgjedhjen e presidentit, dhe i njëjti nuk përmbyllet brenda 60 ditësh, automatikisht vendi shkon në zgjedhje. Dhe, në situatën e dytë, nëse në rundin e tretë të votimit për president nuk janë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur presidenti”, sqaroi Miftaraj.