Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka pritur në takim kryetarin e Lipjanit, Imri Ahmeti, me të cilin nënshkroi marrëveshjen për përkrahjen e projektit dhe vijimin e punimeve në Parkun Industrial të Lipjanit.
Sipas Kusari-Lilës, kjo marrëveshje parasheh mbështetje financiare në vlerë prej 2,672,554.61 euro për ndërtimin e infrastrukturës fizike të parkut, faza “V”.
Ajo vlerëson se është ndërmarrë një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit ekonomik, krijimit të mundësive të reja për bizneset dhe qytetarët e kësaj komune, si dhe për zhvillimin industrial të vendit në përgjithësi.
“Gjatë vizitës në këtë komunë, pata rastin të shoh nga afër potencialin që ofron ky park, i cili shtrihet në 56 hektarë dhe tashmë ka biznese operative, përfshirë një që eksporton produktet e veta në tregun amerikan.
Punimet do të vazhdojnë me intensitet, ndërsa angazhimi ynë si MINTI mbetet i palëkundur për ta shndërruar këtë park në një qendër të rëndësishme industriale” ka deklaruar Kusari-Lila.