Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se nga sot ka filluar procesi i votimit jashtë Kosovës për shtetasit e Kosovës, të cilët janë regjistruar për të votuar përmes postës në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.
Kjo periudhë 25-ditore (17 shtator – 11 tetor 2025), sipas KQZ-së do të vlejë vetëm për 43,933 shtetasit që kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës.
“Në përputhje me detyrimet e përcaktuara në Rregulloren Zgjedhore Nr. 04/2025 për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, sipas të cilave KQZ do të sigurohet që shtetasve të Kosovës të regjistruar për votim me postë t’ua dërgojë përmes postës pakon me fletëvotime, KQZ ka përgatitur pakot për secilin votues të regjistruar, e cila përmban nga dy fletëvotime, një për zgjedhjet për Kryetar Komune dhe një për Zgjedhjet për Kuvend Komunal”, ka njoftuar KQZ.
KQZ ka njoftuar se deri tani ka nisur përmes postës pako me fletëvotime për votuesit e regjistruar në disa shtete dhe shërbimet postare do ta përcjellin te votuesit e regjistruar në adresat e dhëna prej tyre gjatë procesit të regjistrimit. Në ndërkohë, KQZ do të vazhdojë të dërgojë edhe pjesën tjetër të pakove me fletëvotime.
“Zarfi i cili do t’i dërgohet votuesit, përmban: fletëvotimet; zarfin e fshehtësisë; udhëzuesin me informacione se si plotësohen fletëvotimet dhe si realizohet votimi përmes postës; zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës. Në votimin jashtë Kosovës për votim me postë në Zgjedhjet Lokale, detyrë e votuesit është që pakon me fletëvotime ta dërgojë në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së. Në shumicën e këtyre zarfeve, KQZ ka shënuar paraprakisht adresën e kutisë postare në shtetin përkatës të votuesit të regjistruar. Në rastet kur adresa nuk është shënuar nga KQZ, votuesi duhet ta shënojë njërën nga adresat e kutive postare të KQZ”, ka njoftuar KQZ.
KQZ ka ftuar për vëmendje votuesit e regjistruar se çdo dërgesë postare duhet të jetë individuale.
“Të gjitha informacionet e detajuara për procesin e votimit jashtë Kosovës, KQZ ua përcjellë individualisht votuesve të regjistruar në e-mail adresat e tyre”, thuhet në komunikatën e KQZ-së. /Lajmi.net/