Ish ndihmës sekretari amerikan, James Rubin po vazhdon dëshminë e tij edhe sot, në ditën e tretë me radhë si dëshmitar mbrojtës në procesin gjyqësor në Hagë për Thaçin dhe të tjerët.
Ai është pyetur në lidhje me një pjesë të një libri të ish ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill i cili shkruan për një bisedë më Hashim Thaçin gjatë Rambujesë, e ku kishte cituar Thaçin që kishte thënë se është i kërcënuar dhe mund ta vrisnin nëse pajtohej se “UÇK ishte një grup radikal të çmendurish”.
“Nëse pajtohem me këtë, do të shkoj në shtëpi dhe do të më vrasin”, citohej Thaçi nga Hill në librin e tij.
Në lidhje me këtë deklaratë, Rubin tha se Thaçi mund t’ia ketë thënë këtë Christopher Hillit e më pas ai Obrian për të cilin thotë se ka qenë mik i tij.
Rubin u pyet edhe për një deklaratë të tij në një dokumentar në prill të vitit 2000, ku thoshte se Rugovës, Thaçit dhe liderëve të tjerë iu kishte thënë se “ata që kanë punuar shumë me ju për t’iu ndihmuar, janë të zhgënjyer me ju”
Për këtë, Rubin tha se është i kënaqur me saktësinë e fjalëve që kam përdorur në atë kohë.
“Në dhjetëra udhëtime që kam bërë në Kosovë ato vite, kam krijuar një përshtypje të fuqishme që 90% të këtyre njerëzve kanë qenë të shtypur për dhjetëra dhjetëra vite. Nuk kishin Qeveri të organizuar, nuk kishin Polici e as ushtri të organizuar, dhe ata që kishin autoritet moral në një shoqëri të shtypur si kjo ishin ata që kishin mundësi të bindnin familjet individuale të cilët kishin gjasa më të mëdha për t’u përfshirë në veprime hakmarrëse. Pra ishin ata që kishin pjesëtarë të familjes së vrarë dhe kishte shumë zemërim”, deklaroi Rubin.
Ai tha se atë kohë dhe edhe sot beson që mënyra më efikase për të parandaluar dhunën hakmarrëse, ishte që këto autoritete morale t’iu bënin thirrje familjeve që kishin humbur familjarët e tyre të mos përgjigjeshin me dhunë.
“Në këtë shoqëri, autoriteti moral është jashtëzakonisht shumë më i rëndësishëm se sa autoriteti i personave që marrin veprime ose vendime ose një fjali e shkruar në një letër, kjo është ajo që i bënë njerëzit të ndryshojnë mendje në lidhje me atë që duan ta bëjnë apo jo. Kjo është përshtypja ime bazuar në përvojën në shumë zona të luftërave, veçanërisht në këtë zonë lufte ku njerëzisht befasisht gjendeshin të lirë pas vitesh e vitesh masakrash e vrasjeve. Kjo është ajo që mund të ndikonte tek këta njerëz dhe kjo ishte ajo që ne jemi përpjekur të përcillnim tek këta udhëheqës”, ka thënë Rubin.
Ai ka thënë se në mars të vitit 2000 ka qenë në Kosovë ku i ka takuar qytetarët dhe ka parandaluar një dhunë në Preshevë, e këtë ka thënë se e ka ndihmuar ta ndaloj Hashim Thaçi.
“E di që ka qenë rreth një muaj pas përfundimit të luftës, qershor 99 dhe ky ishte misioni i dytë. Misioni i parë ishte më 10 qershor 99 dhe ky i dyti në mars të vitit 2000. Administrata pak pasi u largova nga Qeveria më dha detyrë që të shkoja në Kosovë, ku unë kisha autoritet moral turmat mblidheshin dhe njerëzit më dëgjonin. Unë doja t’iu thoja atyre që kishte një rrezik për një konflikt të ri në Luginën e Preshevës dhe ngrita çështje që mendova se ishin të duhura për t’u ngritur nga e kaluara. Doja të thoja që mos të lejojmë të ndodh e njëjta edhe në Luginën e Preshevës, dhe u gëzova që kjo nuk ndodhi sepse Hashim Thaçi, udhëheqës i një partie politike i kundërshtoi këta njerëz dhe iu tha që nuk duhet të krijonin dhunë politike. Kjo rifreskon kujtesën time politike dhe unë kam qenë aty rreth marsit 2000”, ka thënë ai. /Lajmi.net/