Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, këmbënguli të enjten se nuk do të trembet nga homologu rus, Vladimir Putin, në prag të samitit mes dy udhëheqësve dhe tha se Ukraina do të jetë e përfshirë në çfarëdo marrëveshjeje për fatin e saj.
“Unë jam president dhe ai [Putini] nuk do të ngatërrohet me mua” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë, raporton medium “France24”.
“Unë do të di brenda dy minutave të parë, tre, katër ose pesë minutave… nëse do të kemi një takim të mirë apo një takim të keq” – shtoi ia.
“Dhe nëse është një takim i keq, do të përfundojë shumë shpejt, e nëse është një takim i mirë, ne do të përfundojmë duke siguruar paqe në të ardhme goxha të afërt” – premtoi presidenti amerikan, sipas të cilit gjasat që samite të dështojë janë 25 për qind.
Trumpi ka shprehur vlerësim të lartë për homologun rus në të kaluarën dhe ishte ballafaquar me kritika të gjera pas një samiti në Helsinki më 2018, ku dukej se e pranonte mohimin nga Rusia rreth ndërhyrjes së Moskës në zgjedhjet amerikane.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, nuk është ftuar në samitin e Alaskës, të cilin ai e ka kritikuar si shpërblim për Putinin, dhe i ka refuzuar thirrjet e Trumpit për të dorëzuar territore.
Në anën tjetër, presidenti amerikan premtoi se nuk do të finalizojë asnjë marrëveshje vetëm me Putinin dhe tha se shpreson që të mbahet një samit trepalësh me Zelenskyn, me gjasë menjëherë pas takimit të Alaskës.
“Takimi i dytë do të jetë shumë, shumë i rëndësishëm, sepse ai do të jetë një takim ku ata bëjnë një marrëveshje” – paralajmëroi ai.