back to top
Monday, August 11, 2025
BallinaLajmeMinistria e Drejtësisë, KPK-së dhe KGjK-së: Nisni procedura disiplinore për prokurorët e...

Ministria e Drejtësisë, KPK-së dhe KGjK-së: Nisni procedura disiplinore për prokurorët e gjyqtarët në rastin e Mefail Shkodrës

Të ngjajshme

Ministria e Drejtësisë ka reaguar për rastin tragjik dje në Gjilan ku mbeten të vrarë tre persona, teksa të dyshuarit, Mefail Shkodra, bashkë me dy djemtë, Edonisin dhe Engjullin janë në arrati.

Në reagim, MD-ja tha se Mefail dhe Edonis Shkodra kishin qenë më parë në paraburgim dhe ishin liruar me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, bazuar në kërkesën e Prokurorisë Speciale, vendim të cilin e quajti të papranueshëm.

“Ky vendim është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm, sidomos duke pasur parasysh që të dy të dyshuarit ishin subjekt i hetimeve për vepra të rënda penale si fajdeja dhe detyrimi. Lirimi i tyre përbën një neglizhencë të rëndë institucionale dhe ka prodhuar pasoja tragjike e të pariparueshme”.

“Ministria e Drejtësisë i bën thirrje Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe atij Gjyqësor, që të nisin menjëherë procedurat disiplinore ndaj të gjithë prokurorëve e gjyqtarëve që kanë qenë të përfshirë.  Përgjegjësia ligjore, institucionale dhe morale duhet të jetë e plotë dhe e pakompromis”, thuhet në reagim.

Tutje, ministria tha se u bën thirrje të gjitha forcave politike që sipas tyre, t’i ndalin pengesat e vazhdueshme ndaj reformave në sistemin e drejtësisë.

“Reforma në drejtësi nuk është luks dhe as çështje e interesit të ngushtë politik por është një domosdoshmëri për të garantuar sigurinë, drejtësinë dhe të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

“Drejtësia nuk është pronë e askujt. Ajo duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit ligjor. Kjo ngjarje tragjike duhet të shërbejë si alarm për të gjithë, pa një drejtësi funksionale, nuk mund të ketë siguri, drejtësi apo paqe sociale”, thuhet në reagim.

Dje në qendër të qytetit të Gjilanit kanë mbetur të vrarë tre persona, ku të dyshuarit për vrasjen janë Mefail, Edonis dhe Engjull Shkodra, të cilët janë në arrati.

- Advertisement -

Të Fundit