Muhamet Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se qytetarët e vendit po vuajnë pasojat nga sanksionet e Bashkimit Evropian për fajin e qeverisë së Vetëvendosjes. Në postimin e tij, ai ka ndarë një lajm ku raportohet për rreth 613.4 milionë euro projekte të pezulluara ose të shtyra për afat të pacaktuar si pasojë e masave nga ana e BE-së ndaj Kosovës.
Hamiti i ka reaguar edhe zëvendëskryeministrit në detyrë të Kosovës, Besnik Bislimi, i cili ka thënë se Kosovës i janë miratuar aplikimet në Kornizën për Investime të BE-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ku vendi do t’i përfitojë mbi 2 milionë euro.
Ai ka thënë se megjithatë, Kurti e Bislimi e as zyrtarët e tjerë të VV-së s’flasin për 600 e ca milionë të tjerë që Kosovës i janë pezulluar për fajin e tyre.
Postimi:
Rreth 613.4 milionë euro projekte të pezulluara ose të shtyra për afat të pacaktuar si pasojë e masave (lexo: sanksioneve) të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, sipas një raporti të publikuar nga Instituti GAP në fund të majit.
Këto janë pasojat e deriatëhershme të sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës për fajin e Qeverisë së Vetëvendosjes, që po i vuajnë qytetarët e Kosovës.
Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të shtunën se Kosovës i janë miratuar aplikimet në Kornizën për Investime të Bashkimit Evropian për rajonin e Ballkanit Perëndimor (WBIF) dhe që vendi do t’i përfitojë mbi 2 milionë euro.
Por, zotërinjtë Kurti e Bislimi, zyrtarë të tjerë të VV-së, nuk flasin për 600 e ca milionë të tjerë që Kosovës i janë pezulluar për fajin e tyre.
Kosova është nën sanksione të BE-së prej 28 qershorit të vitit 2023.