back to top
Saturday, August 2, 2025
BallinaLajmeLajmet e Fundit“Moti jemi të operuar nga frika” – Lladrovci reagon ndaj telefonatave kërcënuese...

“Moti jemi të operuar nga frika” – Lladrovci reagon ndaj telefonatave kërcënuese që po i bëhen përkrahësve të tij

Të ngjajshme

Kryetari i Komunës së Drenasit dhe kandidati i shpallur për zgjedhjet e ardhshme lokale, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ashpër ndaj asaj që ai e quan “shqetësime dhe presione” ndaj qytetarëve që shprehin publikisht përkrahje për kandidaturën e tij.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lladrovci ka denoncuar se përkrahës të tij, përfshirë edhe familjarë të afërt, janë kontaktuar në mënyrë të përsëritur përmes telefonit dhe rrjeteve sociale, me qëllim të ushtrimit të presionit për të tërhequr mbështetjen e tyre, raporton lajmi.net

“Qytetarët, në mesin e tyre edhe nipat e mi, janë shqetësuar nëpërmjet telefonit dhe rrjeteve sociale se përse komentojnë dhe më ofrojnë përkrahje publike për kandidaturën time,” ka shkruar Lladrovci.

Ai thekson se këto veprime nuk kanë vend në një sistem demokratik dhe nuk përfaqësojnë asnjë kulturë politike të pranueshme. Sipas tij, këto telefonata vijnë si pasojë e panikut nga njëri prej familjarëve të një grupi që ai e quan “dhjetëshe”.

“Nëse ndodh edhe një telefonatë e tillë e shqetësimit dhe presionit, do të njoftohen organet e rendit dhe do të bëj denoncime për këtë pafytyrësi,” paralajmëroi ai, duke shtuar se shqetësimi përmes telefonit apo mjeteve sociale është vepër e dënueshme me ligj.

Ai përfundon deklaratën duke theksuar se qytetarët janë të çliruar nga frika dhe nuk do të lejojnë që presioni të ndikojë në vullnetin e tyre politik.

Postimi i plotë:

Shqetësimi me telefon është vepër e dënueshme

Nuk është kulturë politike as demokratike shqetësimi me telefon dhe tendenca për të imponuar bindjen e keqbërësve.

Qytetarët, në mesin e tyre edhe nipat e mi, janë shqetësuar nëpërmjet telefonit dhe rrjeteve sociale se përse komentojnë dhe më ofrojnë përkrahje publike për kandidaturën time.

E kuptoj se telefonatat janë bërë nga paniku prej njërit nga familjarët e “dhjetëshes”, por, nuk është as demokratike e as në kulturën politike kjo metodë e punës.

Nëse ndodh edhe një telefonatë e tillë e shqetësimit dhe presionit, do të njoftohen organet e rendit dhe do të bëj denoncime për këtë pafytyrësi.

Shqetësimi me telefon apo mjetet sociale, është vepër e dënueshme.

Moti jemi të operuar nga frika./Lajmi.net/

- Advertisement -

Të Fundit