Në Ditën e Presidentit, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shprehur publikisht mbështetjen dhe respektin e tij për ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim në Hagë.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Lladrovci thekson padrejtësinë që, siç e quan ai, po i bëhet Thaçit në këtë ditë të rëndësishme për shtetin e Kosovës.
“Në Ditën e Presidentit, padrejtësisht, Hashim Thaçi mbahet i veçuar nga familja, qytetarët dhe shteti për të cilin punoi dhe e shpalli të pavarur,” ka shkruar Lladrovci.
Ai e cilëson Thaçin si një ndër kontribuuesit më të mëdhenj të historisë së re të Kosovës – që nga rinia e tij e hershme e deri në proceset e çlirimit, shtetformimit dhe shtetndërtimit.
“Presidenti Thaçi mbetet kontribuuesi më i jashtëzakonshëm nga rinia e hershme për të vijuar me epokën e çlirimit, shtetformimit e shtetndërtimit. Përgjithmonë krenar me ty President!” përfundon postimi i Lladrovcit.
Ky reagim vjen në një kohë kur në Kosovë po shënohet Dita e Presidentit, një datë që nderon institucionin më të lartë të shtetit, ndërsa ish-presidenti Thaçi vijon të përballet me drejtësinë ndërkombëtare për akuzat e ngritura nga Dhomat e Specializuara në Hagë.