Ministria e Arsimit ka konfirmuar se nesër fillon gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2019/2020, duke bërë të ditur se nuk do të ketë greva dhe janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e këtij gjysmëvjetori, transmeton Gazeta Metro.
Më 13 janar, fillon gjysmëvjetori i dytë në sistemin e arsimit parauniversitar për vitin shkollor 2019/2020.
Këtë e ka konfirmuar drejtori i Departamentit të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Alush Istogu, në një intervistë për Radio Kosovën, i cili tha se Ministria në bashkëpunim me të gjitha drejtoritë komunale të arsimit, ka kryer të gjitha obligimet institucionale.
“Sipas informacioneve që kemi, të gjitha drejtoritë komunale të arsimit në bashkëpunim me shkollat dhe këshillin e arsimtarëve kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë. Ne si Ministri i kemi kryer të gjitha obligimet tona institucionale, duke menduar se për mësimdhënësit nuk ka pasur pushim, por vetëm për nxënësit dhe besoj që të gjitha shkollat janë përgatitur me planet e tyre, duke u bazuar në kalendarin e vitit shkollor”, tha Alushi.
Ndërkaq, nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, thonë se po presin të formohen institucionet e reja qeveritare, nga ku priten të dalin sfida të reja.
“Të njëjtën rrugë demokratike po e shfrytëzojmë, duke shprehur kërkesën e mijëra mësimdhënësve tek Avokati, ashtu siç veproi duke respektuar kërkesat e të tjerëve dhe t’i drejtohet edhe njëherë Kushtetueses, jo që të ndikojë për të sjellë ndonjë vendim lidhur me Ligjin, por që të heqë masën e pezullimit të Ligjit të Pagave. Nuk po bëjmë presion, por po bëjmë një kërkesë legjitime”, tha Rrahman Jasharaj nga SBASHK’u. /gazetametro.net