I keni parë në rrjetet sociale fotot e futbollistëve të Kukësit në piceri? Ato që duken disa darka të organizuara në fakt janë ide të trajnerit Peter Pakult, i cili mbledh futbollistët, duke u caktuar dy prej tyre të paguajnë në faturën.
Këtë e ka zbuluar sot futbollisti i verilindorëve, Eni Imami, i cili në një intervistë për Radio Kukësi, ka zbuluar edhe këtë traditë të re të krijuar thuajse çdo javë në radhët e verilindorëve, ku në të fundit kanë qenë ai dhe Idrizi që kanë paguar faturën.
“Duket se po i pëlqejnë shume picat trajnerit tonë, se na çon gjithmonë te i njëjti vend. Sigurisht, është kënaqësi gjithsesi, se më parë nuk e bënim. Por duket se trajneri preferon picat te ky vend dhe pastaj si t’ia thotë mendja, kujt i bie lapsi mes lojtarëve, duhet të paguajë. Këtë herë isha unë me Idrizin, se i tha edhe Guri që nuk ka paguar Imami, Do të shihni fotot javën tjetër që e ka Guri radhën, edhe për transferimin që ka bërë”, tha Imami në këtë emision.
Futbollisti më pas bëri të qartë se ëndërronte nëj transferim jashtë. “Çdo lojtar duhet të ketë ambicie, asnjëherë të mos jesh i kënaqur me çfarë ke. Do të ishte ideal një transferim jashtë, perfekt si për aspektin profesional, ashtu edhe ekonomik. Kjo punë është, nuk është se kemi të tjera. Kam edhe një vit e gjysmë kontratë me Kukësin, nuk i dihet jetës. Mendoj se jashtë do të ikja, se lidhet me të ardhmen time, sigurisht nëse do të ishte mirë për të dy palët”, deklaroi futbollisti, i cili pranoi se motivimi i tij kishte lidhje me përfitimet financiare.
“Motivimi pas titujve kampion? Është llogaria bankare, motivim më të madh nuk ka”, pranoi ai. /vipsport.al/