Të mërkurën e 9 majit do të mbahet Kuvendi i Partisë Socialdemokrate (PSD).
Por në ftesën për këtë Kuvend që Klan Kosova e ka siguruar, bie në sy edhe një llogo në formë dy gjethesh të gërshetuara me ngjyra kuq e gjelbër.
Se a do të jetë kjo llogoja zyrtare e kësaj partie nuk dihet akoma. Gjithçka mbetet të zyrtarizohet ditën e mërkurë.

Të mërkurën me shumë gjasë do të dihet edhe se kush do të jetë kryetari i kësaj partie.
Kryetari aktual i Partisë Socialdemokrate, Bajram Kelmendi, ka bërë të ditur në një intervistë për Klan Kosovën se janë përmendur dy emra.
“Sa i përket kryetarit, nuk është mirë të paragjykojmë, por janë përmendur dy emra…Shpend Ahmeti, ose Visar Ymeri”, ka thënë Kelmendi në Info Magazine të Klan Kosovës.
Ai ka thënë se pozita e kryetarit të Partisë Socialdemokrate iu takon deputetëve të aderuar në këtë parti.
“Ata janë në Parlament dhe iu takon posti i kryetarit, pasi në fund të fundit, edhe buxheti është i tyre”.
Partisë Socialdemokrate, që për shumë vjet u udhëhoq nga Kaqusha Jashari iu bashkua Grupi i Deputetëve të Pavarur që ikën nga Vetëvendosja.