Asamblisti nga radhët e Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Drenasit, Sokol Bylykbashi, ka shkruar për rrezikun që u kanoset nxënësve të shkollës “Zenel Hajdini” në Tërstenik të Drenasit, nga kulmi i dëmtuar i kësaj shkolle.

Bylykbashi shkruan se “kulmi i kësaj shkolle që përbëhet nga pjesë qelqi është rëndë i dëmtuar. Disa pllaka të qelqit janë thyer, të tjerat janë të krisura, dhe kësisoj munden të bien poshtë në çdo moment. Përveç rrezikut, këto pllaka e lëshojnë edhe ujin. Kur ka të reshura atmosferike, pika të ujit bien në hollin e shkollës, duke dëmtuar edhe hapësira tjera të shkollës”

Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë të asambistit Bylykbashi
Kulmi i SHFMU “Zenel Hajdini” në Tërstenik rrezikon nxënësit
Sa herë kemi diskutuar në Kuvendin Komunal për draft buxhetet vjetore, çdo herë kam kërkuar që të ketë një prioritetizim të projekteve kapitale.
Listës së investimeve kapitale duhet t’i prijnë projektet kapitale, të cilat evitojnë ose zvogëlojnë rrezikun për shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Zakonisht projektet e kësaj natyre që i kam përmendur në KK nuk e kalojnë shifrën 20 mijë euro. Po të kishin pasur parasysh zyrtarët komunalë këtë këshillë timen, rinovimi i kulmit të shkollës në Tërstenik do të ishte harruar.
Siç shihet në fotografi, kulmi i kësaj shkolle që përbëhet nga pjesë qelqi është rëndë i dëmtuar. Disa pllaka të qelqit janë thyer, të tjerat janë të krisura, dhe kësisoj munden të bien poshtë në çdo moment. Përveç rrezikut, këto pllaka e lëshojnë edhe ujin. Kur ka të reshura atmosferike, pika të ujit bien në hollin e shkollës, duke dëmtuar edhe hapësira tjera të shkollës.
Përveç këtyre problemeve, shkolla ka nevojë edhe për dyer të reja, ndërsa vendosja e dritareve dhe lyerja e hapësirave të brendshme para tri viteve është bërë dosido. Shkelja e paramasave teknike nga punëkryesi mund t’i kushtojë Komunës me mjete shtesë, sepse duhet intervenuar përsëri.
p.s mbes me shpresë që të mos pësojë askush nga kulmi i dëmtuar, derisa të bëhet rinovimi në verën e vitit të ardhëm.


Kujtojmë se Bylykbashi është këshilltari i parë që ka bërë kallëzimi penal nda komunës së Drenasit, duke u bazuar në të gjeturat e auditorit të përgjithshëm, ku pas denoncimit të tij nuk ka kaluar shumë kohë dhe institucionet qendrore kanë vendosur që raportet e auditorit të përgjithshëm të shkojnë me automatizëm në prokurori. /Drenica Press/



