Ish-deputeti Gani Geci, i cili është i dënuar me 4 vjet burgim nga Gjykata e shkallës së parë, për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, ka thënë sot se ka kryer vrasjen për t’u vetëmbrojtur pasi që kanë dashur ta vrasin sepse kanë dyshuar se është dëshmitar i Gjykatës Speciale.
Geci deklaratën e ka bërë në seancën e Gjykatës së Apelit për këtë rast, derisa ka shtuar se tashmë i ndjeri Shaqiri ishte pjesë e një grupi kriminel që kishte kryer vrasje politike pas lufte, raporton KTV.
Si e pakënaqur me vendimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, është deklaruar edhe gruaja e Ruzhdi Shaqirit, Halime Shaqiri, në cilësi të palës së dëmtuar, dhe avokati i saj, Sokol Dobruna.
“Pas të shtënës së parë, viktima ka rënë për tokë dhe nuk ka pasur nevojë të shtie edhe tri herë tjera”, ka thënë Dobruna.
Prokurori i Gjykatës së Apelit, Marc Meslin, ka kërkuar që të miratohet ankesa e Prokurorisë dhe të ndryshohet aktgjykimi, pasi, sipas tij, nuk ka pasur rrethana lehtësuese në këtë rast.
Ruzhdi Shaqiri ishte vrarë më 4 gusht të vitit 2014, në një kafene në Skenderaj.