back to top
Thursday, September 11, 2025
BallinaOpinioneLufta e drejtë e UÇK-së solli lirinë dhe Pavarësinë

Lufta e drejtë e UÇK-së solli lirinë dhe Pavarësinë

Të ngjajshme

Anthony Martial përfundon në Meksikë

Dikur u transferua me shumë bujë te Manchester United,...

Latte i vlefshëm sa një Bitcoin: Si ta blesh këtë pije përmes satoshive

Bitcoini nuk ka pse të jetë “gjithçka ose asgjë”....

Simon Jordan paralajmëron Chelsean për ndëshkim pas 74 akuzave

Chelsea është përballur me 74 akuza nga Federata e...

 

Shkruan Bedri TAHIRI

Të nderuar të rinj vushtrrias, Ju ardhmëria e vendit!

Të nderuar organizatorë të këtij debati!

Të respektuar të pranishëm!

Fotografia e Bedri Tahiri

Historia e popullit shqiptar është, sa e dhimbshme, aq edhe krenare. Përherë luftëra e  beteja, sakrificë e mbijetesë. Dhe, gjithëherë luftëra mbrojtëse e çlirimtare. Kurrë kujt nuk i ramë në qafë e gjithmonë qemë të rrezikuar nga armiqtë grabitçarë. Ama, kurrë nuk u gjunjëzuam e nuk u pajtuam me robërinë, por qëndruam dhe me armë në dorë mbrojtëm trojet tona stërgjyshore.

Ushtria Çlrimtare e Kosovës është formacioni më i suksesshëm në gjithë historinë tonë. Për herë të parë folëm me një zë dhe bëmë  luftë mbarëkombëtare, duke fituar përkrahjen e botës së civilizuar, andaj edhe fituan atë që na mungonte-Lirinë! Ajo lindi si domosdoshmëri e kohës. Dhuna dhe terrori serb kishin arrirë kulmin. Pasi shteruan të gjitha format dhe mjetet paqësore: demonstratat, protestat, marshimet, peticionet, reagimet, grevat, i erdhi radha rezistencës së armatosur. Pra, luftën nuk e zgjodhëm ne, atë na e imponoi armiku ynë shekullor, Serbia.

UÇK-ja pati organizim të mirëfilltë ushtarak e komandues: pati 7 Zona Operative: Drenicës, Pashtrikut, Dukagjinit, Shalës, Llapit, Nerodimës dhe të Karadakut. Ato kishin strukturim zingjirorë: skuadra, togje, kompani, batalione dhe brigada. Doktrina dhe filozofia e UÇK-së ka qenë e përparuar, evropiane e civilizuese. Ishte ngritur thjeshtë mbi parimet kombëtare e udhëhiqej nga synimi çlirimtar. Ishte pa ngarkesa ideologjike e fetare. Ishte pa ngjyrime partiake. Ajo u përmbahej rregullave të luftës dhe mbante qëndrim dinjitoz e civilizues edhe ndaj armikut. Kjo u dëshmua me zënien robër të ushtarëve në Shalë apo kapjen e 35 serbëve të armatosur në Rahovec, të cilët iu dorëzuan organeve përkatëse. Pra, kemi të bëjmë me një luftë të pastër si loti, një luftë çlirimtare në formë e në përmbajtje.

Fillet e saj janë më të hershme, që në organizimet ilegale dhe në përpjekjet e përhershme për çlirim. Që nga lashtësia dihet se në kapërcyllet historike lindin njerëz të veçantë, që bëjnë epoka. I tillë qe edhe Adem Jashari, burri që ndryshoi rrjedhën e historisë. Ai nuk qe rastësi, ai qe një mrekulli. U lind në Ditën  e flamurit dhe u shndërrua në Flamur lirie. Para varrit të tij në Prekaz deri sot janë përkulur mbi 7 milionë vizitorë. Shqiptarë e të huaj. Kur erdhi aty Kushneri tha: Sikur të kishte çmim Nobel për liri, ai do t’i takonte familjes Jashari!

Ushtrimet e tij ushtarake në Shqipëri, rrethimi i parë i vitit 1991, aksioni i suksesshëm  në Klysyrë të Llaushës, qenë shkëndijat e para të flakadanit të lirisë. Vrasja e mësuesit Halit Geci dhe varrimi i tij më 28 Nëntor 1997, i dha flakë kësaj lufte. Aty doli publikisht Ushtria Jonë Çlirimtare. Dhe, kjo më nuk pati të ndalur. Ngjau edhe Qirezi e Likoshani e pati edhe aksione të shumta guerile.

Mirëpo,  Epopeja heroike e Jasharëve, e cila u zhvillua më 5, 6 e 7 mars 1998 dhe rënia e Komandant Adem Jashari, me gjithë familje e me Jasharët e tjerë, i dhanë jetë lirisë. Ai u shndërrua në legjendë dhe si Prometheu shpërndau flakën e luftës në të gjitha trojet e robëruara shqiptare. Pushkët e lirisë nuk pushuan për dy vjet rresht…

Vushtrria me fshatrat e saj, e gjendur midis Drenicës dhe Shalës, ndoshta përjetoi dhe pagoi më shumë se vendbanimet e  tjera. Ajo, që nga fillimet e para të luftës në Drenicë, luajti rol të rëndësishëm në furnizim, në mikpritje e në strehim të popullatës së zhvendosur nga flakët e luftës. Rruga që shpije përtej Qyqavicës ishte arteria kryesore që mbante gjallë frymën liridashëse në Drenicë.

Pra, fill pas Epopesë së Jasharëve filloi paraqitja publike e njёsiteve tё UÇK-sё edhe këtej Qyqavicës. Më 17 mars 1998 formohet Shtabi në Zhilivodë e më 6 qershor të atij viti edhe Shtabi i Ashlanit. U formuan edhe pika të shumta dhe më 28 qershor 1998 formohet Nënzona Operative Shalës. Në fakt më 30 qershor 1998 formohet Brigada 141 “Mehë Uka” e fill pas saj edhe Brigada 142, që kishte një shtrirje nga Shala e deri në Qyqavicë.  Në kuadër të këtyre dy Brigadave vepronin edhe Njësia Speciale e Policia Ushtarake.

Aksioni më i suksesshëm, që merret edhe si fillim i luftës në Artakoll dhe në gjithë Zonën Operative të Shalës është Beteja e Hamidisë, të cilën e organizoi dhe e udhëhoqi dëshmori Jashar Jashari i Strofcit, i njohur me nofkën Komandant “Duraku”. Më pas zhvillohen luftime në Pantinë dhe në Frashër, më 24, 25 e 26 qershor 1998, të cilat kulmojnë më 6 gusht 1998, kur bie edhe dëshmori i parë i kësaj zone, Jeton Tërstena.

Ofensiva e shtatorit 1998, e njohur me emrin e koduar ushtarak  “QYQAVICA”, konsiderohet si një ndër më të vështirat për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ajo kishte filluar në Shalë, më 14 e 16 shtator dhe pastaj, më 22, 23 e 24 kishte vazhduar përreth Qyqavicës, duke sjellë vrasje, masakrime të papara. Pasojat e saj do të ishin edhe më të rënda, po mos të arrinte  komesarja e Lartë e OKB-së, Sadako Agata më 25 shtator 1998 në Resnik, ku ishin grumbulluar qindëra e mijëra veta.

Fotografia e Bedri Tahiri

Pas kësaj ofensive, kur Serbia u mashtrua se e zhduku UÇK-në, u arrit një armëpushim e njohur si Hollbruk- Milosheviq dhe u bën përgatitjet për Konferencën e Rambujesë…

Janari i vitit 1999 nisi me pasoja për UÇK. Në fillim u vra në pritë, në Smrekonicë Xhevat Jusufi. Por, pa humbur kohë patëm edhe një sukses, u zunë robër 8 ushtarë serbë, të cilët u shkëmbyen me 9 ushtarët e UÇK, gjë që ishte një fitore e madhe politike e diplomatike, ngase për herë të parë dy ushtritë u ulën në nivele të barabarta…

Më 22 shkurt 1999, nën petkun e ushtrimeve ushtarake,  nisi një ofensivë e madhe policore-ushtarake pikërisht nga Vushtrria në drejtim të Drenicës, e cila zgjati deri më 15 mars 1999. Armiku taktizonte. Ditën e pranverës 1999 nisi një sulm i ri mbi fshatrat e Shalës e duke zbritur drejt Studimës, Cecelisë, Dumnicës e Samadrexhës. Ato ditë u përdor edhe aeroplani luftarak, duke sulmuar shkollën- spital në Bajgorë.

Më 7 prill 1999 u sulmuan pozicionet e Batalionit IV në Cecceli, Studime, Stanovc e Dumnicë. Por luftëtarët e këtij Batalioni qëndruan dhe rrezistuan, duke i shkaktuar armikut humbje të  mëdha.

Më 2 maj 1999 ngjau edhe masakra më e madhe në këto anë e më gjerë, Masakra e Studimës. Nga dëshmitarët mësohet se 116 civilët u pushkatuan brenda dy orëve. Kur jemi të qyteti i lashtë i Vicianës nuk duhet harruar as vrasjet e 22 majit 1999, kur në shtëpinë e Kahriman Pasomës u pushkatuan  68 veta.

UÇK-ja ishte ushtri e popullit, andaj qe e fortë dhe doli fitimtare. Ajo përbëhej nga luftëtarë të moshave e profesioneve të ndryshme. Kishte të rinj e të moshuar. Shumë pleq qëndruan dhe ranë duke i mbrojtur shtëpitë e veta. Himne lire thurën edhe shumë sokolesha shqiptare. Në vijën e frontit qëndruan edhe mësimdhënës e  nxënës. Kështu në Altarin e lirisë ranë 400 mësimdhënës e mbi 1200 nxënës (në komunën e Vushtrrisë 29 nxënës, 17 studentë, 11 mësimdhënës e 6 punëtorë teknikë).

Heroizmi i pashoq i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificat vetëflijuese të masës së gjerë popullore, mahnitën botën e civilizuar. NATO- ja, në krye me Amerikën mike, mblodhi mendjen e fuqinë dhe u hodh në veprim për ta ndalur barbarinë shfrenuese serbe. Aeroplanët e saj iu bënë krah luftëtarëve të lirisë.  Dhe, të koordinuara mirë e mirë, ata nëpër qiell, e këta nëpër tokë, më në fund, më 12 qershor 1999, ia dolën mbanë, dëbuan gjakatarin shekullor dhe çliruan Kosovën. Qyteti ynë, Vushtrria e Hasan Prishtinës, u çlirua më 17 qershor 1999.

I nderuar auditor! Meqë kjo temë e gjerë është e pamundur të përfshihet brenda një çerek ore, po nxjerrim këto konkluzione:

  1. Luftërat tona, që nga Skënderbeu e deri tek Adem Jashari, ishin të drejta, mbrojtëse e çlirimtare;
  2. Ushtria Çlirimtare e Kosovës qe formacioni e më i suksesshëm ushtarak shqiptar, që me luftën e vetë unikate solli lirinë dhe Pavarësinë që sot po e gëzojmë;
  3. Zona Operative e Shalës u dallua për të mirë në organizim, në veprim, në beteja e në aksione, duke i falur lirisë shumë gjak: mbi 136 dëshmorë, 210 invalidë e shumë civilë të vrarë e të plagosur.
  4. Vushtrria dhe 67 vendbanimet e saj luajtën rol kyç në fatin e Kosovës gjatë periudhës 1997-1999, duke i dhënë frymë e jetë lirisë sonë;
  5. Shkolla shqipe mbetet prijetare në kundërshtimin e fuqishëm të Serbisë, duke mbijetuar në periudhën zezonë e duke u përfshi edhe në rrezistencën e armatosur.

Të nderuar pjesëmarrës, mbase nuk reflekton mirë që tua mbushim trurin me ngjarje të tilla, sepse Ju nuk e keni përjetuar luftën, por, duke u nisur nga thënia e latinëve të lashtë se historia është mësuesja e jetës, është e nevojshme të rikujtohet e kaluara e të ecim më lirshëm e më të sigurt përpara. Nuk thuhet kot: Kush nderon e rikujton historinë, krijon ardhmërinë! Çdo herë duhet t’i thërrasim kujtesës sonë historike që të mos gabojmë. Mjerisht historinë tonë na e shkruan të tjerët, andaj, sot, atë duhet ta shkruajmë vetë, ashtu siç ishte, realisht e pa zbukurime, duke i dhënë hapësirën e merituar në tekstet shkollore e jo siç po veprohet, kur gjithë Lufta e lavdishme e UÇK-së dhe komandanti Adem Jashari, të përfshin vetëm me nga 5-6 rreshta! Një filozof thotë: Mjerë ai popull që nuk ka histori!

Ju faleminderit për vëmendje!

 

Ligjëratë e mbajtur në Konferencën “Kosova ndër vite” përkatësisht “Qyteti i Vushtrrisë në periudhën historike 1980-2017”, organizuar nga Këshilli i Veprimit Rinor Lokal i Vushtrrisë, mbështetur nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Vushtrri, Gjimnazi “Eqrem Çabej”,

më 15 Shkurt 2017

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz