Pavarësisht se ka shumë aludime në lidhje me spostimin e ndeshjes Shqipëri-Izrael nga Shkodra në Elbasan, arsyeja e vërtetë duket se ka të bëjë vërtetë me sigurinë më të madhe që ofron ky qytet i Shqipërisë së Mesme, në krahasim me atë verior. Themi kështu, nisur nga pozita gjeografike ku janë ndërtuar të dyja stadiumet dhe elementë të tjerë. “Loro Boriçi” ka humbur shumë pikë sa u takon ndërtimeve të larta që janë rreth e rrotull tij. Janë disa pallate të larta, vetëm pak metra këtij impianti sportiv, të cilët kuptohet që janë një problem më i madh për policinë, e cila merret me sigurinë e ndeshjeve.

Një llogaritje e thjeshtë, duke u bazuar në tri ndeshjet e mëparshme, që janë luajtur në këtë qytet, nxjerr në pah se ajo do të humbasë rreth 800.000 deri në 1.000.000 euro nga moszhvillimi i ketij takimi ne “Loro Boriçi”. Gjithsesi, llogaritë nga ata që e kanë ndërtuar këtë stadium duhet të ishin bërë edhe për ato pallate ekzistuese rreth e qark, edhe për parkingun e munguar, edhe për aktet e mundshme terroriste, edhe për shumë gjëra të tjera. Por, si në Shqipëri, një punë nis dhe përfundon pa e ditur mirë se për çfarë do të shërbejë./Telesport.al/