Festivali i filmit të animuar “Anibar” këtë edicion, të shtatin me radhë, do të sjell 270 filma të shkurtër dhe 3 filma të gjatë ku do të projektohen në katër kinema,në qytetin e Pejës. Me theks të veçantë, nw këtë edicion të “Anibar-it”, do të trajtohet fenomeni i ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimatike, shkruan KultPlus.
Festivali i filmit të animuar “Anibar” sapo ka shpallur programin e plotë për edicionin e shtatë që do të mbahet në qytetin e Pejës. Organizatorët kanë bërë të ditur datat e festivalit, ku do të shpaloset një program i gjerë për dashamirët e artit të animuar. 270 filma të shkurtër dhe 3 filma të gjatë të ndarë në 42 programe, formwsojnw kwtw edicion qw do tw nis mw 15 gusht dhe do tw mbyllet mw 21 gusht.
Filmat do të projektohen në katër kinema, dy të mbyllura dhe dy në ambient të hapura, për aq sa do të zgjatë festivali. Filmat e përzgjedhur do të garojnë në kategoritë: ndërkombëtare; studentë; ballkanik; ambient; videoklipet e animuara muzikore, panoramat botërore si dhe Kids & Teen. Përveç çmimeve që ndahen për këto kategori, këtë vit do të ndahet edhe çmimi për kauzën më të mirë e trajtuar nga një film dhe çmimi i audiencës. “Anibar” ka përzgjedhur që këtë vit të trajtohet fenomeni i ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimatike duke projektuar animacione që interpretojnë ndërveprimin njerëzor me këtë fenomen global.
“Sot, njeriu vazhdon të ngarkohet nga informacioni, mërzia, hutohet teksa uji e kaplon habitatin e tij si pasojë e veprimeve ose mungesës së veprimeve të njeriut ndaj mjedisit.” Kështu e kanë interpretuar përmes animacionit edhe konceptin ideatorët Jeanne Boukraa dhe Georges Legonidec. Boukraa, që njëherit është një nga fitueset e edicionit të kaluar në ANIBAR, ky i fundit pajtohet që teknologjia është e nevojshme për zhvillimin e njeriut, mirëpo ajo duhet të zhvillohet konform mjedisit dhe jo kundër tij. Filmat e animuar do të vlerësohen nga një juri e përbërë nga animatorë, producentë, e drejtorë të festivaleve kryesore të animacionit në Evropë. Ky edicion është pasuruar me disa aktivitete, të cilat do të funksionojnë në kuadër të festivalit, e që ngjashëm në lidhje me temën e festivalit, është një program special i kuruar nga Jiri Nedela i quajtur “Global Warming in Animation” i cili do të shfaq filma që trajtojnë temën e ndryshimeve klimatike përmes animacionit.
Programi përmban një përzgjedhje të balancuar në mes të filmave edukativ, dokumentarë e artistik, të gjithë me qëllim të paraqitjes sa më reale të problemit të ngrohjes globale. Ndërkaq, programet tjera speciale plotësojnë spektrin e gjerë krijues dhe me shumë rëndësi ku animacioni gjen vend, siç është programi ‘Hyrje në videoklipe të animuara muzikore’ i kuruar nga Tomek Ducki.
Këtë edicion festivali Anibar do të sjellë aktivitete tjera krahas projektimit të filmave të animuar – një seri e prezantimeve dhe masterklaseve do të formojnë shtyllat kyçe të programit. Pjesëmarrësit e festivalit do të argëtohet gjithashtu edhe me programin më të pasur deri më tani nga Anibar After Parties. Me formatin një bend dhe një DJ, parku Karagaq do të mirëpres dashamirët e muzikës dhe netëve të gjata./KultPlus.com