Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur sot para mediave për çështjen e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë, tek memoriali në Prishtinë.
Pas deklarimit të tij, ai u pyet nga gazetarët në lidhje me çështjen e Presidentit por për këtë zgjodhi të mos flas.
Ai i injoroi dhe iu shmang pyetjeve të gazetarëve, shkruan lajmi.net.
Afati 34 ditor që Gjykata Kushtetuese i ka dhënë për të zgjedhur Presidentin përfundon nesër, ndërsa asnjë zgjidhje nuk po shihet në horizont.
Të shtunën, Kurti ka kërkuar nga partitë opozitare tre emra që do t’i kandidojnë për President, pas kësaj oferte kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku është përgjigjur pozitivisht duke e propozuar Vjosa Osmanin.
Këtë kandidaturë, VV e ka parë “jo-zyrtare”, pasi sipas shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavcit ata nuk kanë pranuar asnjë email me emrin e kandidaturës së LDK-së, ndonëse edhe Abdixhiku iu përgjigj VV-së përmes rrjetit social facebook, ashtu siç edhe kishte ofertuar VV.
PDK ka thënë se nuk do të propozoj asnjë kandidat.
Nëse deri nesër nuk arrihet marrëveshje për Presidentin, vendi do të shkoj në zgjedhje të cilat mund të mbahen me 30 maj ose 7 qershor sipas IKD-së. /Lajmi.net/