BallinaLajmeAbdixhiku nga Meja: Kosova duhet të kërkojë drejtësi për njerëzit e vet

Abdixhiku nga Meja: Kosova duhet të kërkojë drejtësi për njerëzit e vet

Të ngjajshme

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar masakrën e Mejës, duke thënë se mëngjesin e ka kaluar mes familjarëve të viktimave, të cilët ende mbajnë mbi supe peshën e një prej masakrave më të rënda në Evropë.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka rikujtuar se 27 vjet më parë, 376 civilë shqiptarë, përfshirë edhe fëmijë, u ndaluan dhe u ndanë me forcë nga familjet e tyre, për t’u vrarë më pas nga forcat policore dhe ushtarake të Serbisë.

“Mëngjesin e kalova në Mejë, mes familjarëve që mbajnë ende mbi supe peshën e njërës nga masakrat më të errëta që kontinenti evropian mban në mend. Njëzet e shtatë vite më parë, 376 civilë shqiptarë, mes tyre edhe fëmijë, u ndalën dhe u ndanë me forcë nga më të dashurit e tyre. U vranë gjakftohtësisht nga forcat policore e ushtarake të Serbisë. Krimi nuk përfundoi aty. Shteti serb organizoi fshehjen e tij. Trupat u bartën 280 kilometra larg, deri në Batajnicë, dhe u varrosën në varre masive”, shkroi Abdixhiku.

Ai theksoi se dhimbja e familjeve mbetet e gjallë edhe pas kaq vjetësh, duke shtuar se kjo ditë nuk është vetëm kujtim, por edhe përgjegjësi për të mos harruar të kaluarën dhe për të kërkuar drejtësi.

“Sot, mes këtyre familjeve, e kupton se koha nuk mbyll gjithçka. Ka dhimbje që mbeten, të qeta në pamje, por të pandryshuara në thelb. Megjithatë, njeriu është më i fortë se guri. Kjo ditë nuk është vetëm kujtim. Është matje me veten. Me atë që kemi kaluar dhe me atë që nuk guxojmë ta harrojmë. Liria e Kosovës është e shtrenjtë. Prandaj kërkon përgjegjësi. Në këtë përgjegjësi, Kosova duhet të kërkojë drejtësi për njerëzit e vet dhe një histori që nuk lejohet të harrohet. Lavdi e Zoti u ndihmoftë familjeve!”, tha Abdixhiku.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz