Tri partitë opozitare, lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën kanë lëshuar seancën e Kuvendit, pas fjalimeve që mbajtën lidhur me Marrëveshjen e Stabilizimit Asocimit. Ata përshëndetën në parim MSA-në, por thanë se problemi është në çfarë statusi po e miraton Kosova këtë marrëveshje.
Në Kuvend nga radhët e opozitës ndodhet vetëm deputeti Ilir Deda.
Glauk Konjufca, nga Vetëvendosje tha se kjo Marrëveshja e Stabilizim Asocimit në parim është për tu përshëndetur, por problemi është në çfarë statusi po e miraton Kosova këtë marrëveshje.
Ai tha se BE-ja, po e kategorizon Kosovën, si një entitet i kontestueshëm, raporton Telegrafi.
Konjufca tha se BE-ja nuk e ka kushtëzuar Kosovën për MSA-në me luftimin e korrupsionit, ose si rezultat i reformave, por për shkak marrëveshjeve me Serbinë.
Donika Kada-Bujupi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se AAK do të jetë përherë e angazhuar pro integrimit evropian.
“Sot kemi ardh me konfirmu këtë përkushtim, pro këtyre proceseve”, tha Kada-Bujupi, duke shtuar se rrugë e integrimit është lënduar nga njerëzit që po udhëheqin vendin.
Ajo tha se kjo qeveri me të gjitha veprimet e saj ka vepruar në kundërshtim me ligjin.
“Qeveri e shantazhuar, udhëheqësi që kanë dosje…”, tha deputetja e AAK-së.
Ajo më tej shtoi se substanca e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit është shumë e brishtë dhe lëshimet janë të natyrës politike dhe ekonomike.
Sipas saj, fusnota po legjitimon statusin neutral të Kosovës.
“Duhet të reflektoni, t’i tërhiqni nënshkrimet nga dy marrëveshjet. Mos heqja e nënshkrimeve do të jetë peng mbi supet e Kosovës në vitet e ardhshme”, u shpreh deputetja e AAK-së.
Ndërkaq, Valdete Bajrami nga Nisma për Kosovën tha se i kanë vërejtjet e tyre nga neni i parë deri në të 13.
Ajo tha se NISMA do të angazhohet të ruajë partneritetin me ndërkombëtarët dhe në këtë drejtim mbështet çdo rrugëtim për në BE, por jo të atyre që janë në dëm të marrëveshjeve që prekin në sovranitetin e vendit. /Telegrafi/