BallinaLajme75 vjeçari flinte mbi armë, familja thotë se nuk di asgjë për...

75 vjeçari flinte mbi armë, familja thotë se nuk di asgjë për arsenalin që ia kapi policia

Të ngjajshme

Rreth orës 22:00 të mbrëmjes së të martës mbi 20 zyrtarë të Policisë së Kosovës rrethuan shtëpinë e 75 vjeçarit, Mehmet Gjyrevcit. Plaku nga Fushë Kosova kishte arritur t’i fshihte 6 armë nën shtratin ku flinte. Për armët nuk kishte qenë aspak në dijeni familja e 75-vjeçarit. Policia e arrestoi atë mbrëmë dhe për momentin gjendet në paraburgim.

Gjashtë revole të ndryshme e 150 fishekë të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm kishin disa kohë që qëndronin të palosura nën krevatin ku flinte 75 vjeçari nga komuna e Fushë Kosovës, Mehmet Gjyrevci. Por, kishin qenë pikërisht këto armë ato që e dërguan atë në qendrën paraburgimit.

Ai i mbante armët pa leje në shtëpinë e tij. Ato u zbuluan mbrëmë nga policia e Kosovës. Rreth orës 21:30, mbi 20 pjesëtarë të policisë së Kosovës ia rrethuan shtëpinë plakut nga Fushë Kosova. Por, edhe vetë policia u habit nga ajo se çka gjeti në shtëpinë e të moshuarit.

E se kishin armë në shtëpi nuk e dinte askush përpos plakut. Së paku kështu thonë familja Gjyrevci e cila mbeti e habitur nga ajo se çka u gjeti policia.

Gazeta Express, të mërkurën ka qëndruar në shtëpinë e 75-vjeçarit. Familjarët kanë rrëfyer rreth ngjarjes. Djali i tij thotë se nuk ka ditur gjë për armët të cilat i posedonte Mehmeti.

“Ku i ka marrë babai ato armë nuk e di. Ato i ka pas nën krevat në dhomën e tij të fjetjes. Ne po ndihemi shumë keq. Ai në atë moshë me shku me qëndrua në burg. Kur policia ka ardh me bastisë shtëpinë time policët e kam kërkua fletarrestin, dhe u kam thënë shkoni në shtëpi e kontrollone. Unë kam qenë i bindun që në shtëpi nuk ka asgjë. U kam thanë tek unë nuk ka asgjë të keqe. Familja, hiç asnjëri nuk e ka ditë që ai mbanë armë”, thotë djali i tij.

Djali i të dyshuarit, Bekimi

Djali i të dyshuarit, Bekimi, thotë se është hatëruar me prindin e tij.

“Hatri më ka mbete që s’ka tregu. Por në shtëpi e pranojmë. Armët në shtëpi nuk ia kisha lënë. Nuk kanë se çfarë na vyejnë. Unë dje bashkë me babë ishim në treg, nuk më tha asgjë për asnjë armë”, thotë djali i 75 vjeçarit të arrestuar. Por familja po shqetësohen për shëndetin e tij. Djali i tij, Bekimi, thotë se prindi i tij është i sëmurë nga zemra.

“Po më dhimbset se i moshuar me shku në burg. Ai është i sëmurë nga zemra. Ne po themi se asnjëri nuk kemi ditur gjë për këtë punë”. 75 vjeçari i ka gjithsej 10 fëmijë, gjashtë vajza e katër djem.

Shtëpia e të dyshuarit

Në aksionin e mbrëmshëm, policia i ka konfiskuar disa revole pas operacionit të bastisjes që organet e hetuesisë e kryen mbrëmë në shtëpinë e të dyshuarit.

Ppolicia  ka konfirmuar për Express, se të moshuarit i janë sekuestruar 6 armë zjarri. Një  Ecol Special 99 cal. 9mm, me dy karikatorë, një Crvena Zastava 9mm, me një karikator; një TT 7.62 mm, me një karikator; një CZ VZOR 50 Cal. 7.65 mm; një Pjetro Bereta cal. 7.65mm model 70; një Bloë Mini cal 8mm nr .serik 5-154231 me një karikator; si dhe 150 fishekë të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm.

I moshuari ka pranuar për organet e hetuesisë se armët kanë qenë në pronësi të tijën. Për këtë rast organet e shtetit po i vazhdojnë hetimet. Ndaj 75 vjeçarit, Mehmet Gjyrevci, është iniciuar rasti, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve./GazetaExpress/

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz