Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
E lidhur me këtë sot Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dhenë detaje, duke bërë të ditur se bëhet fjalë për 50 automjete të blinduara.
“Shtetet e Bashkuara kanë kënaqësinë t’i transferojnë 50 Automjete të Blinduara Sigurie (ASV) Qeverisë së Kosovës… Kosova, duke përdorur burimet e saj mbrojtëse, do t’i sjellë këto automjete në kapacitet të plotë operacional, duke shënuar një hap tjetër në angazhimin tonë të përbashkët për forcimin e kapacitetit mbrojtës të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe për forcimin e sigurisë së të dy kombeve tona”, thuhet në postim.

Ndërkaq, një ditë më parë, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka shkruar se është i gëzuar për avancimin dinamik të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila vazhdon të fuqizohet me teknologji dhe mjete të avancuara për të garantuar realizimin e misionit të saj kushtetues.

“Ky angazhim për transformimin në një Forcë të fuqishme dhe profesionale nuk do të ishte i mundur pa mbështetje nga një partner strategjik dhe i pazëvendësueshëm — Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miku ynë i përjetshëm”, ka shkruar Maqedonci.

- Advertisement -