“31 shtete, një mision”, KFOR-i bashkon paqeruajtësit në marshimin tradicional të ushtrisë daneze

Paqeruajtësit e misionit të KFOR-it morën pjesë në marshimin tradicional “DANCON March”, i cili u mbajt në Kampin Novo Selo.


Për këtë marshim, i bazuar në një traditë shumëvjeçare të ushtrisë daneze, KFOR tha se synon “qëndrueshmëri dhe frymë ekipore në veprim”.
“Paqeruajtësit nga misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO, morën pjesë në marshimin tradicional “DANCON March” në Kampin Novo Selo. Kjo traditë e kahershme e Ushtrisë Daneze ndërthur një sfidë të vështirë të qëndrueshmërisë fizike me mundësinë për të forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin ndërmjet kontingjenteve shumëkombëshe”.
Lexo edheNgjarja e rëndë në Durrës, djali godet me sëpatë prindërit



KFOR tha se ndër vite, kjo ngjarje është shndërruar në një simbol të vërtetë të frymës së KFOR-it: “31 shtete kontribuuese, të bashkuara në një mision dhe me një qëllim të përbashkët, duke qëndruar krah për krah si një ekip i përbashkët”.

“Forca e KFOR-it qëndron në unitetin e tij. Duke i tejkaluar kufijtë, duke ecur përpara dhe duke i përballuar sfidat së bashku, paqeruajtësit dëshmojnë forcën, paanshmërinë dhe vendosmërinë e KFOR-it për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, në të mirë të të gjitha komuniteteve”.







