Zymer Bytyqi hap zemrën: Kam bërë gabime në karrierë, dua të rikthehem aty ku e meritoj

Futbollisti kosovar, Zymer Bytyqi, është rikthyer në futbollin norvegjez, aty ku kishte hedhur hapat e parë si profesionist. 30-vjeçari tashmë është pjesë e skuadrës së Kristiansund BK, ku, pavarësisht se iu bashkua ekipit vonë, ka arritur të regjistrojë paraqitje pozitive me gola dhe asistime.
Në një intervistë për Indeksonline.net, Bytyqi ka folur gjerësisht për rikthimin në Norvegji, ndryshimet që ka pësuar futbolli në këtë vend, objektivat me klubin e ri dhe synimin për ta rikthyer karrierën në nivelin më të lartë.
Ai është ndalur edhe te Kombëtarja e Kosovës, për të cilën nuk është ftuar që nga viti 2024, duke bërë të qartë se vazhdon ta shohë veten në planet e ekipit dardan.
Bytyqi ka treguar se rikthimin në Norvegji po e përjeton shumë mirë, pasi kishte pasur nevojë për një ambient stabil.

“Rikthimin po e përjetoj shumë mirë. Kam pasur nevojë të vij në një vend më stabil dhe të përqendrohem te rikthimi në formë të mirë dhe te stabiliteti. Tani, me këta numra që po regjistroj sa u përket golave dhe asistimeve, po e dëshmoj veten, edhe pse ende nuk e kam arritur 100 për qind formën time”, ka deklaruar Bytyqi.
Ai ka vlerësuar gjithashtu zhvillimin e madh që ka përjetuar futbolli norvegjez në vitet e fundit.
“Ka ndodhur një ndryshim shumë i madh. Këtu kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm dhe tani Norvegjia renditet ndër dhjetë ligat më të mira në Evropë. Dy ekipe luajnë në Ligën e Kampionëve dhe dy të tjera në Ligën e Evropës”, ka theksuar futbollisti kosovar.
Sa i përket rikthimit në ritmin e garave pas një periudhe të vështirë, Bytyqi ka thënë se ardhja te Kristiansund BK ishte një vendim i rëndësishëm për të gjetur stabilitetin e nevojshëm dhe për të punuar drejt rikthimit në nivelin e dëshiruar.
“Rikthimi ka qenë shumë i mirë. Siç thashë edhe më herët, kam pasur nevojë të vij në një vend stabil, ku e kuptojnë dëshirën time për t’u rikthyer në formë dhe për të bërë sërish një hap më lart pas një periudhe shumë turbulente. Kam bërë disa gabime në të kaluarën, sidomos sa u përket klubeve me të cilat kam nënshkruar, pasi disa prej atyre zgjedhjeve kanë qenë të gabuara për mua”, ka rrëfyer ai.

Objektivat e tij te Kristiansund BK janë të qarta. Bytyqi synon të kontribuojë në sukseset e skuadrës, por edhe ta përdorë këtë aventurë si një mundësi për ta rinisur karrierën dhe për të synuar sërish nivelet më të larta të futbollit.
“Objektivat e mia kryesore këtu janë dy: ta ndihmoj klubin dhe ta rinis karrierën time personalisht, në mënyrë që pas një kohe ta bëj sërish hapin drejt nivelit ku e meritoj të jem”, është shprehur Bytyqi.

Lexo edheBehrami kritikon ashpër Akanjin: Te Interi duhet të jetë lider, por nuk është
Bytyqi ka 24 paraqitje dhe një gol me fanellën e Kombëtares së Kosovës, por nuk është ftuar që nga viti 2024.
30-vjeçari ka thënë se nuk e ka pritur një ftesë gjatë këtij viti, duke qenë se kishte qëndruar për një kohë të gjatë jashtë futbollit dhe kishte pasur nevojë të rikthehej gradualisht në formë. Megjithatë, ai beson se mund të jetë sërish pjesë e planeve të Kombëtares.

“Nuk kam pritur që këtë vit të jem në listë. Jam shumë realist dhe i drejtë në këto gjëra. Arsyeja është se kam qenë jashtë futbollit për një kohë relativisht të gjatë, para se të rikthehesha këtu, dhe kam pasur nevojë të kthehem në formë. Nëse, për shembull, do të kishte grumbullim muajin tjetër, do të kisha shpresa. E shoh veten në planet e Kombëtares. Përderisa ftohen lojtarët më të mirë dhe ata që janë në formë, e di që jam në planet e Kosovës”, ka deklaruar ai për Indeksonline.net.
Në fund, Bytyqi ka dhënë edhe një mesazh për futbollistët e rinj me prejardhje nga Kosova, të cilët rriten dhe zhvillohen në akademitë e vendeve të ndryshme evropiane dhe ende nuk kanë vendosur se cilën Kombëtare do ta përfaqësojnë.
Sipas tij, vendimi për Kombëtaren që do të përfaqësojnë duhet të merret me zemër dhe pa mëdyshje.
“Gjithmonë duhet të zgjedhin me zemër. Nëse je 50 me 50, atëherë nuk ke çfarë kërkon duke luajtur për Kombëtaren e Kosovës”, ka përfunduar Zymer Bytyqi në intervistën për Indeksonline.net/Granit Tërstena/
𝗞𝗿𝗶𝘀𝘁𝗶𝗮𝗻𝘀𝘂𝗻𝗱 𝟭-𝟭 𝗦𝗮𝗻𝗱𝗲𝗳𝗷𝗼𝗿𝗱
⚽ 45' Leander Alvheim
🅰️ Zymer Bytyqi#Eliteserien #KBK #SF pic.twitter.com/XAmcntssge— Eliteserien Wizard (@ElitWizard) November 22, 2026





