Abdixhiku reagon ndaj etiketimit të bashkëpunëtorëve të Ibrahim Rugovës si “UDB-sha: Ju kam thënë mos i dëgjoni
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar lidhur me etiketimet ndaj veprimtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe bashkëpunëtorëve të afërt të ish-presidentit Ibrahim Rugova, duke i cilësuar ata si UDB-ashë në studio televizive.
Abdixhiku tha se u kishte thënë të mos i dëgjonin.
“Ju kam thënë, mos i dëgjoni.Në fillim flasin për fotografi. Pse e kërkojnë aty. Le ta largojmë. Më pas trillojnë për gurë të mbështjellë në celofan e të nisur për në Beograd. Dikur i shpallin viktimat kufoma politike – sepse s’kanë asnjë ndjesi njeriu. Fundja, njihen veç për zhurmë, shpifje, sharje e grushte mes vete – analizë u thonë këtyre. Në fund thonë “boll më”. Janë vra sepse ishin UDB-ashë”,deklaroi Abdixhiku.
Ai tha se që nga fillimi këta kanë agjendë lufte kundër LDK-së.
“Ju kam thënë me kohë. Që nga fillimi, këta kanë agjendë luftën kundër Lidhjes Demokratike. Se durojnë si ide, se pranojnë si histori, frikësohen nga e ardhmja. Prandaj me aq zell tregojnë çfarë duhet të ndodhë në këtë shtëpi. Shikovca u themi ne. I bajmë në qafë. Tash e gjashtë vjet, ditë e natë”,shtoi ai.
Lexo edhe“Ne të duam mami”, dy djemtë e Liridona Ademaj kërkuan që bluza me emrat e tyre të vendosej mbi varrin e saj
Përpos kësaj, Abdixhiku ka kërkuar nga Komisioni i Pavarur i Mediave një reagim të fortë.
“Pres reagim të fortë nga Komisioni i Pavarur i Mediave. Ofendimet ndaj vrasjeve politike lëndojnë kujtesën historike dhe cenojnë themelet e Republikës. Familjet që tash e sa vjet presin të mësojnë kush ua vrau më të dashurit, sot dëgjojnë se përse ata e paskan merituar vrasjen. Ofenduesit nuk i edukojmë dot, por ky shtet ka institucione. Le të veprojnë”./Lajmi.net/






