back to top
Tuesday, September 23, 2025
BallinaLajme​ZKA rekomandon koordinim ndërinstitucional për ruajtjen, zhvillimin dhe ripërtëritjen e hapësirave pyjore

​ZKA rekomandon koordinim ndërinstitucional për ruajtjen, zhvillimin dhe ripërtëritjen e hapësirave pyjore

Të ngjajshme

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka realizuar auditimin e performancës “Mbrojtja, zhvillimi dhe ripërtëritja e hapësirave pyjore”, për periudhën 2020–2024 i cili ka vlerësuar efikasitetin e institucioneve përgjegjëse në mbrojtjen, zhvillimin dhe ripërtëritjen e hapësirave pyjore.

Sipas njoftimit, rezultatet e këtij auditimi tregojnë se institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të menaxhojnë në mënyrë të duhur hapësirat pyjore në Kosovë.

“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) nuk ka arritur të përgatisë dhe të miratojë udhëzimet administrative të nevojshme për menaxhimin e pyjeve, për rrjedhojë Agjencia Pyjore e Kosovës operon pa kornizë të plotë rregullative. Po ashtu Agjencia Pyjore e Kosovës nuk ka bërë inventarizim të plotë dhe të përditësuar të pyjeve si dhe nuk ka organizuar në mënyrë efektive mbrojtjen e pyjeve publike, prandaj nuk ka të dhëna të sakta për gjendjen aktuale të resurseve pyjore”, thuhet në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se auditimi ka evidentuar se rreth 44 për qind e objektivave të planifikuara nuk janë realizuar, ngecjet janë më të theksuara në kultivimin, trajtimin dhe ngritjen e pyjeve të reja.

“Rreth një milion fidanë në Institutin Pyjor të Kosovës rrezikojnë të dështojnë për shkak të mungesës së kontraktimeve për pyllëzim nga Agjencia”, thuhet në njoftim.

Sipas ZKA-së, në parqet “Bjeshkët e Nemuna” dhe “Sharri” janë regjistruar prerje të shumta ilegale dhe ndërtime pa leje. Në Parkun Kombëtar “Sharri”, mungesa e rojeve pyjore ka bërë që deri në 70% e territorit të mbetet pa mbrojtje. Ndërsa, në Parkun Kombëtarë “Bjeshkët e Nemuna” problem i madh janë edhe ndërtimet ilegale dhe sipas regjistrimeve të vitit 2024 janë mbi 6,083 ndërtime ilegale. Po ashtu nuk ka të dhëna të sakta sa i përket numrit të uzurpimit të pronave publike.

“Agjencia Pyjore për më shumë se 20 vjet nuk ka trajtuar çështjen e pronave që i ka në menaxhim. Ka rreth 500 prona me emërtime të ndryshme të cilat ende nuk i ka unifikuar dhe verifikuar. Gjithashtu auditimi ka evidentuar se në procesin e qiradhënies së pronave publike ka vonesa deri në 38 muaj si dhe janë bërë shumë shkelje nga qiramarrësit”, thuhet në komunikatë.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, deklaroi se mungesa e kornizës së qartë ligjore, kontrollit efektiv, dhe koordinimit institucional, kanë rezultuar me prerje ilegale, uzurpime dhe dëmtime të zonave të mbrojtura, duke shkaktuar humbje të mëdha ekonomike dhe mjedisore. Prandaj është i nevojshëm një koordinim ndërinstitucional me qëllim të ruajtjes, zhvillimit dhe ripërtëritjes së hapësirave pyjore të vendit.

Për përmirësimin e gjendjes se pyjeve në Republikën e Kosovës, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 11 rekomandime.

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Mbrojtja, zhvillimi dhe ripërtëritja e hapësirave pyjore”, e gjeni këtu. 

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz