Zhegrova pas barazimit me Izraelin i dërgon mesazh Fodës: Shpresoj të startoj ndaj Austrisë

Edon Zhegrova ka komentuar barazimin pa gola të Kosovës ndaj Izraelit, duke shprehur dëshirën që në ndeshjen e ardhshme të nisë nga minuta e parë.
Sulmuesi kosovar u inkuadrua në minutën e 77-të në përballjen e zhvilluar mbrëmë ndaj Izraelit, por në minutat e pakta në fushë nuk arriti të ndryshojë rezultatin, me ndeshjen që përfundoi 0-0.
Në një deklarim për mediumin italian SportMediaset, Zhegrova tha se vendimi për ta lënë në stol ishte i trajnerit, ndërsa bëri të qartë se pret të ketë më shumë hapësirë në sfidën e radhës.
“Të nisja nga stoli ishte vendim i trajnerit, mezi pres ndeshjen tjetër, shpresoj të filloj dhe të luaj”, deklaroi Zhegrova.
Kosova në ndeshjen e radhës do të përballet me Austrinë, e cila aktualisht kryeson grupin. Zhegrova beson se “Dardanët” kanë cilësinë për të synuar fitoren dhe kreun e grupit.

Lexo edheRashica: Kemi prit që të fitojmë kundër Izraelit
“Unë besoj në ekipin tim kombëtar, kemi lojtarë cilësorë, do të luajmë në shtëpi dhe mendoj se kemi një shans të mirë për të fituar, e njëjta gjë vlen edhe për grupin, do të bëjmë gjithçka për të përfunduar të parët”, u shpreh Zhegrova.
Zhegrova kishte shënuar gol për Kosovën edhe në përballjen e fundit ndaj Austrisë, duke realizuar nga pika e bardhë në humbjen 3-1 në Vjenë./Lajmi.net/














