“Zëri i të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë konfliktit në Kosovë”

Kryeministri Ramush Haradinaj mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Zëri i të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë konfliktit në Kosovë”, organizuar nga Fondacioni Jahjaga, në rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave.
Në fjalën e tij kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se “Kosova ka vlera të larta njerëzore, familjare dhe jam i bindur se është e gatshme t’i kupton drejtë dhe nuk dështon për të qenë afër me viktimat e dhunës seksuale”. Shembulli më i mirë për këtë e gjen te aktivistet, siç është edhe presidentja Jahjaga e cila ka dhënë shumë për këtë kauzë, ka vlerësuar kryeministri Haradinaj në fjalën e tij.
“Ajo që është tepër e rëndësishme, ne shprehim gatishmërinë e institucioneve të Kosovës që të bashkëpunojmë me të gjithë mekanizmat për të marrë përvojat e vendeve tjera që ta shërojmë këtë plage që kemi në shoqëri”, tha kryeministri duke shtuar se shërimi i kësaj plage dhe nxjerrja në dritë e të vërtetës, çlirimi nga vuajtja është një bazë e mirë, që duke shëruar këtë plagë shërojmë plagët e një populli.
“Është në interes të rajonit tonë që plagët e këtilla të të kaluarës sonë të shërohen. Pjekuria dhe vlerat e një shoqërie më së miri vërehen nga mos amnistia e dhunës seksuale. Kjo është në dobi të të gjithë popujve”, tha kryeministri duke shtuar se e ardhmja e Ballkanit dhe e popujve tanë asnjëherë të mos na ballafaqoj me befasi dhe plagë të këtilla.
Presidentja Atifete Jahjaga në fjalën e saj ka theksuar se 20 vite pas luftës në Kosovë, viktimat e dhunës seksuale po jetojnë me frikën se të kuptuarit e asaj që ju ka ndodhur atyre, ato do t’i identifikoj si “gra të dhunuara” dhe kjo të bëhet pjesë e identitetit të tyre. Por shoqëria jonë duhet të ketë forcën dhe moralin që ato të mos i stigmatizojë në asnjë mënyrë dhe në asnjë situatë.

Lexo edheAksidenti në Gjilan, 11 të lënduarit që po trajtohen në spital janë në gjendje stabile
Konferenca është organizuar nga Fondacioni Jahjaga dhe me mbështetjen e Ambasadës gjermane në Prishtinë dhe ekipit të OKB-së në Kosovë, duke synuar hapjen e diskutimit publik për dhunën seksuale si mjet të konfliktit.
Pjesëmarrës në konferencë ishin edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ruairí O’Connell, ambasadori gjerman Christian Heldt, ambasadori amerikan Filip Kosnet dhe znj. Ulrika Richardson, koordinatore për Zhvillim e KB-ve.
Konferenca do të mbështes “Deklaratën e Prishtinës” që synon ta ngrit perspektivën e të mbijetuarve në nivel global.














