Hallka që shpëtoi Gotovinën: Çfarë nga apeli i tij mund t’i vlejë katërshes së UÇK-së?

Pasi Dhomat e Specializuara shpallën dënimet për ish-krerët e UÇK-së, në Kosovë është rikthyer në vëmendje rasti i gjeneralit kroat Ante Gotovina. A mund të shërbejë praktika e Hagës nga e kaluara si udhërrëfyes për fazën e apelit?
Më shumë se një dekadë pasi u shpall i pafajshëm nga Tribunali i Hagës, historia e gjeneralit kroat Ante Gotovina është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes publike dhe juridike. Kësaj radhe, në kontekstin e dënimeve të shqiptuara nga Dhomat e Specializuara ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, transmeton lajmi.net.
Në pamje të parë, ngjashmëritë janë të dukshme. Edhe gjenerali kroat mori një dënim të rëndë prej 24 vjetësh burgim në shkallë të parë, përpara se dhoma e apelit ta kthente plotësisht vendimin, duke e lënë të lirë. Por, si u arrit kjo kthesë dhe çfarë mund të mësojë mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së nga ky precedent?
“Shtëpia prej letrash” dhe standardi prej 200 metrash
Beteja që ndryshoi fatin e Gotovinës nuk u zhvillua në rrugë apo përmes deklaratave politike, por brenda vetë kornizave të aktgjykimit. Kur mbrojtja doli para dhomës së apelit në maj të vitit 2012, ajo u përqendrua te një element specifik: i ashtuquajturi standard prej 200 metrash.
Në shkallë të parë, gjykatësit kishin përdorur këtë distancë arbitrare për të vlerësuar sulmet me artileri gjatë operacionit “Stuhia” të vitit 1995. Payam Akhavan, dikur pjesë e ekipit mbrojtës të Gotovinës, shpjegon për Radio Evropa e Lirë se si u shemb e gjithë akuza:
„Ishte fiks ajo premisë e gabuar që u bë baza e gjithë teorisë së ndërmarrjes së përbashkët kriminale. Por e gjithë çështja ishte si një shtëpi prej letrash, dhe sapo u hoq letra e 200 metrave, u shemb e gjithë struktura“.
Kjo qasje bëri që dënimet të përmbysen, duke e shndërruar betejën ligjore në atë që vetë Gotovina e quajti “stuhia jonë ligjore”.
Dallimet thelbësore mes dy rasteve
Megjithatë, ekspertët ligjorë dhe ushtarakë tërheqin vërejtjen se paralelizmat kanë kufijtë e lor. Jeffery H. Corn, ekspert ushtarak i angazhuar në rastin e Gotovinës, thekson për REL dallimin thelbësor mes dy proceseve:
„Në rastin Gotovina, çështja nuk ishte nëse ai mbante përgjegjësi për veprimet e vartësve të tij – si komandant, kjo merrej si e mirëqenë. Çështja ishte nëse veprimet e tyre përbënin shkelje të ligjit. Te Thaçi është ndryshe: Nuk kontestohet se pjesëtarët e UÇK-së kanë kryer shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Pyetja është nëse Thaçi mban përgjegjësi për ato shkelje“.

Lexo edheBerisha i ashpër me Specialen: “Këtu s’ka të bëjë me drejtësi”
Ndonëse përvoja nuk mund të kopjohet mekanikisht, mësimi kryesor mbetet i njëjtë: apeli kërkon zbërthimin e çdo hallke të arsyetimit juridik për të gjetur gabimet faktike ose ligjore që nuk mbështeten në prova.
Nevoja për ekipe të forta dhe mbështetje institucionale
Për t’u ballafaquar me një fazë kaq sfiduese, avokati Tomislav Kuzmanović, dikur pjesë e mbrojtjes së Mladen Markaçit, për REL sugjeron domosdoshmërinë e një organizimi të posaçëm:
„Për mendimin tim është shumë e rëndësishme që ata të kenë ekipe të forta për apel dhe mbështetje të mjaftueshme. Besoj se Kosova ka ndarë resurse të konsiderueshme për ekipet mbrojtëse. Kjo mbështetje duhet të vazhdojë e madje edhe të rritet, në mënyrë që ata të kenë një mundësi reale në apel“.
Në anën tjetër, institucionet e Kosovës kanë sinjalizuar mbështetje të plotë për fazën që e pret mbrojtjen. Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar publikisht qëndrimin e ekzekutivit:
„Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të ofrojë mbështetje në çdo mënyrë dhe me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion, me qëllim korrigjimin e verdiktit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i cili është i padrejtë juridikisht dhe moralisht, dhe i pasaktë historikisht dhe faktikisht“.
Pavarësisht premtimeve institucionale dhe sfidave të mëdha që i presin ekipet mbrojtëse, mesazhi i juristëve mbetet i qartë: në sallën e gjyqit, emocionet duhet t’ia lënë vendin metodisë së saktë juridike, sepse siç thotë Payam Akhavan, “loja nuk ka përfunduar ende”./lajmi.net/












