Me flamuj të UÇK-së në duar, qytetarët nuk zmbrapsen nga shiu në natën e dhjetë

Për të dhjetën natë me radhë, qytetarët janë mbledhur në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke vazhduar protestën “Jo në emrin tim” kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Pavarësisht shiut që ka përfshirë kryeqytetin, sheshi është mbushur sërish me qindra mijëra qytetarë, të cilët kanë dalë për të shprehur mbështetjen e tyre për UÇK-në dhe kundërshtimin ndaj vendimit të gjykatës në Hagë, transmeton lajmi.net.
Protesta ka nisur më 16 shtator dhe po zhvillohet çdo mbrëmje në Prishtinë, duke u shndërruar në një tubim të përditshëm të qytetarëve.

Në mesin e protestuesve janë parë flamuj kombëtarë dhe simbole të UÇK-së, ndërsa mesazhi kryesor i protestës mbetet “Jo në emrin tim”.
Organizatori i protestës, Çlirim Haziri, gjatë ditës ka bërë edhe një thirrje të re për qytetarët, duke i ftuar që flamurin e UÇK-së ta vendosin në shtëpitë e tyre.

Lexo edheShala: Më 4 tetor Kosova do të jetë pa president, Kosova mund të hyjë në anarki pa rregullim kushtetues
Ndërkohë, gjatë ditës janë zhvilluar protesta edhe në qytete të tjera të Kosovës, të organizuara nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Protestuesit nga këto organizime i janë bashkuar sonte tubimit në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Pavarësisht motit me shi, qytetarët vazhdojnë të qëndrojnë në shesh, duke e mbajtur gjallë protestën tashmë për të dhjetën natë radhazi./lajmi.net/












