back to top
Wednesday, August 6, 2025
BallinaLajmeLajmet e FunditWitkoff takohet me Putinin para skadimit të afatit të SHBA-së për armëpushim...

Witkoff takohet me Putinin para skadimit të afatit të SHBA-së për armëpushim në Ukrainë

Të ngjajshme

I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, në Kremlin më 6 gusht – vetëm dy ditë para se të skadojë afati që Shtëpia e Bardhë i ka vendosur Moskës për të ndalur luftën në Ukrainë ose të përballet me sanksione shtesë.

Witkoff u prit në Moskë nga Kirill Dmitriyev, i dërguari për investime i Rusisë dhe drejtuesi i Fondit Sovran. Në pamje të publikuara nga agjencia shtetërore e lajmeve TASS, dy zyrtarët u panë duke ecur në një park pranë Kremlinit.

Më vonë, Kremlini njoftoi se po zhvillohej takimi Putin-Witkoff.

Teksa presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar se do të vendosë tarifa ndaj Rusisë dhe sanksione dytësore ndaj shteteve që ende importojnë naftë ruse – përfshirë blerëset më të mëdha, Kinën dhe Indinë – nuk pritet që Putini ta ndalë luftën kundër Ukrainës që e nisi më 2022.

Pas nisjes së vizitës të Witkoffit në Moskë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Ukraina i ka propozuar Rusisë “qetësi në qiell” – pa sulme me raketa apo dronë, dhe pa goditje ndaj infrastrukturës civile apo energjetike.

Trump, i cili kohëve të fundit ka shprehur gjithnjë e më shumë pakënaqësi ndaj Putinit, paralajmëroi javën e kaluar se “do të ketë sanksione, por ata duket se janë mjaft të mirë në shmangien e tyre”.

Trump tha gjithashtu se do të rrisë “në mënyrë të konsiderueshme” tarifat ndaj Indisë, për shkak të vazhdimit të blerjeve të naftës ruse nga ky shtet.

I pyetur më 3 gusht se cili është mesazhi që Witkoff do t’ia përcjellë Moskës dhe nëse Rusia mund të shmangë sanksionet, Trump u përgjigj shkurt: “Po, të bëjnë një marrëveshje që ndalon vrasjet”.

Kremlini ka dhënë pak detaje për vizitën. Zëdhënësi Dmitry Peskov deklaroi më 4 gusht se “ne gjithmonë e mirëpresim zotin Witkoff në Moskë… Ky është një kontakt i rëndësishëm dhe i dobishëm”.

Në një deklaratë tjetër për agjencinë ruse TASS, Peskov tha se përmirësimi i marrëdhënieve SHBA–Rusi do të kërkojë kohë, për shkak të “inercisë” dhe mungesës së takimeve të drejtpërdrejta ndërmjet presidentëve Putin dhe Trump.

Presidenti Trump ka bërë të ditur më 14 korrik se i ka dhënë Rusisë 50 ditë kohë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, në të kundërtën do të vendosen tarifa të ashpra ndaj eksporteve ruse. Më pas, ai e zhvendosi afatin për më herët – më 8 gusht.

Afati i ri erdhi në një periudhë me sulme të ashpra në Ukrainë. Më 31 korrik, mbi 300 dronë rusë goditën Kievin, duke vrarë të paktën 31 persona. Po ashtu, forcat ukrainase kanë shtuar sulmet ndaj infrastrukturës ruse.

Disa analistë paralajmërojnë se kërcënimet ndaj Kinës për importet e saj të naftës nga Rusia mund të kenë efekt të kundërt dhe të çojnë në rritje të çmimeve globale të energjisë.

Megjithatë, sipas analistit politik Alexander Morozov nga Universiteti Charles në Pragë, Shtetet e Bashkuara duan që çdo vendim të merret përpara vizitës së planifikuar të Putinit në Pekin, ku ai pritet të takohet me udhëheqësin kinez, Xi Jinping.

“Shtetet e Bashkuara synojnë të hyjnë në samitin e APEC-ut më 31 tetor me një marrëveshje tregtare me Kinën dhe, në mënyrë ideale, me një pozicion të përbashkët edhe për luftën në Ukrainë”, tha Morozov.

Në të njëjtën kohë, Trump ka deklaruar se ka lëvizur në rajone të caktuara nëndetëse me kapacitet bërthamor. Ai tha më 1 gusht se ky vendim u mor pas “deklaratave jashtëzakonisht provokuese” nga ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev. REL

- Advertisement -

Të Fundit