Vuçiq i “qahet” pak Putinit: Askush në botë nuk ka përjetuar atë që kam përjetuar unë

Ish-presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se askush në botë nuk është përballur me presionet dhe kritikat që ai pretendon se i ka përjetuar gjatë viteve të fundit, duke zbuluar edhe një bisedë me presidentin rus, Vladimir Putin, lidhur me protestat në Serbi.
Në një intervistë për RT Balkan, Vuçiq, i cili është bartës i listës zgjedhore “Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar”, është paraqitur si një nga politikanët më të goditur nga presionet publike, duke pretenduar se përvoja e tij nuk mund të krahasohet me atë të asnjë lideri tjetër në botë.
Deklaratat e tij vijnë në kuadër të fushatës zgjedhore në Serbi, ku Vuçiq ka folur për kundërshtarët politikë, protestat dhe marrëdhëniet me liderët ndërkombëtarë.
“E dini, atë që kam kaluar unë gjatë pothuajse dy vjetëve të fundit, madje edhe pak më gjatë, nuk e ka kaluar asnjë njeri në botë në opinionin publik të vendit të tij. Asnjë. Kam biseduar me shumë liderë”, ka deklaruar Vuçiq, transmeton mediumi serb Informer.
Ai ka treguar se për protestat në Serbi kishte biseduar edhe me presidentin rus, Vladimir Putin, i cili, sipas tij, ishte habitur me sjelljen e demonstruesve.
“Nëse tashmë po më nxisni të flas, madje edhe Putini, pas asaj ndërhyrjeje të pakuptimtë në Kuvendin Popullor në vitin 2020 ose 2021, gjatë pandemisë së koronavirusit, më tha: ‘Është e pabesueshme sa agresivë janë ata protestues atje’”, ka rrëfyer Vuçiq.
Sipas tij, Putini kishte vlerësuar edhe mënyrën se si ai po përballej me protestat dhe presionin politik.

Lexo edheArtan Grubit i përfundon masa e arrestit shtëpiak
“Por e shoh që ti po arrin disi ta menaxhosh edhe këtë. Si, nuk e di, por e shoh që disi po ia del”, ka cituar Vuçiq fjalët që pretendon se ia kishte thënë presidenti rus.
Përveç protestuesve, Vuçiq ka drejtuar kritika edhe ndaj zyrtarëve evropianë, duke përmendur ministren e Punëve të Jashtme të Austrisë dhe kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq.
Ai ka akuzuar Plenkoviqin se po zhvillon fushatë kundër Serbisë dhe kundër tij personalisht, ndërsa ka shprehur pakënaqësi edhe për pritjen që zyrtarët austriakë u kanë bërë përfaqësuesve të protestuesve.
Vuçiq ka pretenduar gjithashtu se mediat kroate kanë publikuar më shumë artikuj negativë për të sesa artikuj të të gjitha kategorive së bashku për presidentin dhe kryeministrin e Kroacisë gjatë 20 vjetëve të fundit.












