Von der Leyen: Zgjerimi i BE-së është imperativ strategjik, ekziston momentum për anëtarësimin e vendeve të rajonit
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka vlerësuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian përbën një interes strategjik për Evropën, duke theksuar se aktualisht janë krijuar kushte të favorshme për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të vendeve kandidate.
Gjatë deklarimeve të saj, ajo ka bërë të ditur se BE-ja është në rrugë të mirë për të hapur dhe përmbyllur më shumë se 100 kapituj negociues gjatë këtij viti. Këtë zhvillim e ka cilësuar si një arritje të rëndësishme, veçanërisht në rrethanat kur zhvillimet ndërkombëtare po ndryshojnë me ritëm të shpejtë.
Sipas von der Leyen, Bashkimi Evropian duhet ta shfrytëzojë momentin aktual për të avancuar procesin e zgjerimit dhe për të afruar vendet kandidate drejt anëtarësimit të plotë. Megjithatë, ajo ka theksuar se përparimi kërkon përkushtim dhe angazhim të ndërsjellë nga të dyja palët.
“Jam e bindur se zgjerimi është një imperativ strategjik për Evropën dhe se sot ky momentum është real. Nëse i shikoni të gjitha negociatat që kemi, jemi në rrugë të mirë për të hapur dhe përmbyllur mbi 100 kapituj këtë vit”, ka deklaruar ajo.
Presidentja e Komisionit Evropian ka shtuar se një Evropë më e bashkuar dhe më e fuqishme do të jetë më e përgatitur për t’u përballur me sfidat globale, prandaj, sipas saj, mundësia aktuale duhet të shndërrohet në hapa konkretë drejt anëtarësimit të vendeve që synojnë integrimin në BE.
Duke folur për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, von der Leyen ka veçuar Malin e Zi dhe Shqipërinë si dy vende që po shënojnë përparim në procesin e integrimit evropian.
Për Malin e Zi, ajo ka thënë se po i afrohet fazës përfundimtare të negociatave për anëtarësim, ndërsa për Shqipërinë ka vlerësuar ritmin e avancimit në këtë proces.
Ajo ka bërë të ditur se në fillim të muajit janë prezantuar udhërrëfyesit për të dyja shtetet, përmes të cilëve janë përcaktuar prioritetet dhe objektivat që duhet të përmbushen në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Von der Leyen ka shprehur pritjen që edhe vendet e tjera të rajonit të arrijnë përparim të ngjashëm.
Krahas përgatitjeve të vendeve kandidate, presidentja e Komisionit Evropian ka theksuar se edhe vetë Bashkimi Evropian po ndërmerr hapa për t’u përgatitur për zgjerimin e ardhshëm.
Lexo edheShënohet 35-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri – Vatikan
Sipas saj, institucionet evropiane po analizojnë ndikimin që procesi i zgjerimit mund të ketë në funksionimin e institucioneve të BE-së, politikat e përbashkëta dhe buxhetin e unionit.
Ajo ka nënvizuar se zgjerimi duhet të jetë një proces i suksesshëm si për shtetet që tashmë janë anëtare, ashtu edhe për ato që synojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.
Një pjesë të rëndësishme të deklarimit të saj, von der Leyen ia ka kushtuar edhe integrimit gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se qytetarët dhe ekonomitë e rajonit nuk duhet të presin deri në anëtarësimin e plotë për të përfituar nga mundësitë që ofron tregu i përbashkët evropian.
Në këtë drejtim, ajo ka përmendur Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe integrimin gradual si mekanizma që mundësojnë afrimin më të shpejtë të vendeve të rajonit me BE-në.
“Ne duam t’u ofrojmë vendeve të Ballkanit Perëndimor qasje në më shumë përfitime të tregut tonë të përbashkët edhe para anëtarësimit”, ka deklaruar von der Leyen.
Ajo ka shpjeguar se Bashkimi Evropian po mundëson hapjen graduale të sektorëve të caktuar të tregut për vendet e rajonit, ndërsa në këmbim kërkon zbatimin e reformave që garantojnë kushte të barabarta të konkurrencës.
Sipas saj, ky proces po mbështetet edhe financiarisht nga BE-ja, ndërsa rezultatet e para të reformave tashmë kanë filluar të vërehen. /Lajmi.net/




