Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se Kosova ka kërkuar disa herë nga Shqipëria që të ofrojë shërbimet e hemodializës falas për qytetarët e Kosovës, njësoj siç vepron Kosova me shtetasit shqiptarë.
Sipas tij, këto kërkesa janë bërë përmes ambasadorëve të Shqipërisë në Kosovë, si dhe në komunikim të drejtpërdrejtë me Ministren e Shëndetësisë në Shqipëri. Megjithatë, ende nuk ka ndonjë informacion zyrtar për zbatimin e kësaj kërkese.
“Kjo është një marrëveshje që ka filluar që nga viti 2018, jemi shkuar duke rregulluar akoma, qytetarët nga pjesa veriore e Shqipërisë marrin shërbime të hemodializës në spitalin e Gjakovës por edhe të Prizrenit. Ne e kemi kërkuar tri ose katër herë përmes ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës që të ofrohet ky shërbim edhe për qytetarët tanë falas, edhe për qytetarët nga Kosova kur shkojnë në pushime. Akoma nuk kemi marrë përgjigje në këtë drejtim. Në një bisedë telefonike që kam pasur me ministren e shëndetësisë në Shqipëri më kanë premtuar do të jenë agil dhe do të bëjnë maksimumin për ta realizuar këtë marrëveshje, por kur do të bëhet nuk kam informata zyrtare akoma”, tha Vitia.
Këtë deklarim Vitia e bëri pasi mori pjesë në përurimin e shërbimit të hemodializës në spitalin e Podujevës.
Ai u pyet nga gazetarët edhe për mungesën e disa barnave për shkak të mungesë së ofertuesve.
“Ligji i prokurimit duhet të zbatohet patjetër”, tha Vitia, duke theksuar se proceset ligjore janë të detyrueshme, edhe kur pengojnë furnizimin e shpejtë.
Ministri shtoi se aktualisht ekzistojnë disa mungesa në barnat e SHSKUK-së dhe kjo situatë mund të lidhet edhe me zbatimin e ligjit për çmimin tavan të barnave, që ka ndikuar në gatishmërinë e operatorëve për të ofertuar.
“Janë disa procese procedurale kur jemi te ligjet e prokurimit. Ligji i prokurimit duhet të zbatohet patjetër. Në momentin kur hapet procedura tenderuese një herë nuk ofertues. Hapet edhe dy herë nuk ka ofertues. Pastaj, me një kërkesë përmes agjencionit kosovar për produkte dhe pajisje medicinale dhe pastaj edhe miratimet e MSH-së gjenden rrugët për të ardhur këto barna të cilat mungojnë. Natyrisht, ne duhet konsumuar këto procedura sepse nuk mund të shkojmë direkt në këtë mënyrë. Prandaj, edhe ekzistojnë disa mungesa të këtyre barnave në SHSKUK…Kjo mund të ketë ndoshta me fillimin e implemetimit të ligjit për çmimeve të barnave, çmimin tavan të barnave sepse disa ofertues pa thënë për rastin e veçantë sepse nuk e di. Mirëpo disa ofertues e di që kanë filluar të mos ofertojnë sepse më herët kur kanë ofertuar kanë qenë çmime të cilat kanë qenë në dorën e tyre se sa të ofertojnë shpeshherë kemi parë që disa që kanë pasur vetëm disa produkte speciale kanë ofertuar përtej çdo limit të çmimeve”, potencoi Vitia.