Shtete të shumta nga mbarë bota kanë reaguar ndaj sulmit të djeshëm me armë kimike nga regjimi i Asadit, në të cilin humbën jetën më shumë se 100 civilë, dhe mbi 500 të tjerë morën plagë, raporton Anadolu Agency (AA).
Trump: Sulmi me armë kimike nuk mund të injorohet nga bota e civilizuar
Presidenti amerikan Donald Trump ka dënuar sulmin me armë kimike të kryer nga regjimi i Bashar Asadit në Siri duke porositur: “Nuk mund të injorohet nga bota e qytetëruar sulmi mizor me armë kimike në Siri i cili ka patur në objektiv njerëzit e pafajshëm duke përfshirë në mesin e tyre gratë dhe fëmijët”.
Guterres: Sulmi në Idlib dëshmi e vazhdimit të krimeve të luftës në Siri
Në prag të fillimit të konferencës për Sirinë, njeriu i parë i OKB-së, Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres sot në Bruksel tha se është i bindur se Këshilli i Sigurimit në seancë të jashtëzakonshme do të marrë vendime konkrete në pajtim me përgjegjësinë që e ka.
Komisarja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federica Mogherini po ashtu tha se sulmi i djeshëm i tmerrshëm në Idlib është edhe një tregues i domosdoshmërisë së aksionit të përbashkët të bashkësisë ndërkombëtare në ndaljen e dhunës në Siri.
“Kjo është dita kur veprimi multilateral është i nevojshëm më shumë se kurrë”, tha Mogherini pas takimit me Guterres.
Shefi i diplomacisë franceze Jean-Marc Ayrault po ashtu dënoi sulmin e djeshëm në Idlib dhe tha se nuk ka mëdyshje se kjo është vepër e regjimit sirian.
Përfaqësuesit e 70 shteteve dhe disa organizata ndërkombëtare do të marrin pjesë sot në konferencën për ardhmërinë e Sirisë që mbahet në Bruksel.
Britania: Provat flasin se Assadi qëndron prapa sulmit kimik
Të gjitha provat flasin se regjimi i Bashar al-Assadit qëndron prapa sulmit kimik të së martës në veri të Sirisë, deklaroi të mërkurën Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Boris Johnson.
Komentet e tij u bënë me të arritur në Bruksel, ku Johnson do të marrë pjesë në konferencën BE/OKB për Sirinë.
“Mbretëria e Bashkuar dënon përdorimin e armëve, pavarësisht se nga kush dhe ku janë përdorur, prandaj do të vazhdojmë të kryesojmë përpjekjet ndërkombëtare për të dënuar autorët”, tha Johnson në një deklaratë të mëparshme.
“Nëse dëshmohet se kjo është një vepër e regjimit, atëherë do të paraqes një dëshmi tjetër për mizoritë e kryera kundër popullit sirian gjatë gjashtë viteve të konfliktit të tmerrshëm”, shtoi ai.
NATO dënon sulmin me armë kimike në Siri
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka dënuar sulmin me armë kimike të kryer në qytetin sirian Idlib në të cilin humbën jetën më shumë se njëqind persona, shumica fëmijë.
Stoltenberg përkujtoi se me Konventën për armë kimike ndalohet përdorimi i armëve kimike në zona ku mund të ketë pasoja vdekjeprurëse ose afatgjate apo të sjellë dëme ndaj njerëzve.
Ai kërkoi që ky dokument të respektohet plotësisht dhe vuri në dukje se Siria, si një nga nënshkruesit, duhet të përmbush përgjegjësitë e saj.
“I dënoj këto sulme të tmerrshme në qytetin sirian Idlib për të cilat pohohet se janë kryer me përdorimin e armëve kimike, që shkaktoi vdekjen e dhjetëra personave, në mesin e të cilëve gjenden edhe fëmijë. Të gjithë përgjegjësit duhet të japin llogari”, thuhet në njoftimin e Stoltenberg-ut, i cili përkujtoi se sulme të ngjashme disa herë janë kryer në kohë të shkurtër.
Papa Françesku sulmet në Siri i quan “masakra të papranueshme”
Papa Françesku e ka quajtur sulmin me armë kimike që vrau dhjetëra persona, duke përfshirë shumë fëmijë, në Siri si “një masakër të papranueshme”
Papa tha të mërkurën, gjatë audiencës së tij se ai ishte “i tmerruar nga ngjarjet e fundit në Siri”, dhe theksoi se “dënon me forcë masakrën e papranueshme”.
Ai i bëri thirrje “të ndërgjegjësohen ata që janë me përgjegjësi politike si në nivel lokal ashtu edhe ndërkombëtar që të ndalojnë këtë tragjedi dhe të sjellin lehtësim për këtë popullsi që për një kohë të gjatë është i përfshirë nga lufta”.
Kreu i Vatikanit gjithashtu inkurajoi ato që dërgojnë ndihma për popullatën e goditur “edhe në mesin e pasigurisë dhe parehatisë”.
Presidenti francez e cilëson sulmin kimik në Idlib si “krim lufte”
Përmes një deklarate me shkrim pas mbledhjes së Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare, presidenti i Francës François Hollande e ka dënuar përdorimin e armëve kimike në Siri.
“Ftoj komunitetin ndërkombëtar që të japë përgjigje ndaj këtij krimi të luftës”, ka shtuar Hollande.
Kazakistani dënon sulmin me armë kimike të regjimit të Asadit
Ministri i Jashtëm i Kazakistanit, Kayrat Abdrahmanov, reagoi kundër sulmit me armë kimike të regjimit Asad në qytetin Idlib të Sirisë.
Abdrahmanov në fjalimin e tij gjatë një takimi me ambasadorët e shteteve në ndërtesën e Ministrisë së Jashtme, foli edhe për sulmin terrorist në qytetin Shën Petersburg të Rusisë dhe sulmin me armë kimike në Siri.
Duke theksuar se Kazakistani i dënon këto sulme, Abdrahmanov tha se “Kazakistani po e ndien përgjegjësinë dhe peshën e tyre. Ne jemi në dijeni të asaj që pritet si rezultat i përdorimit të këtyre substancave”.
Sipas tij, bota po kalon një periudhe të vështirë dhe se në këtë situatë ka nevojë për shërbimet e diplomatëve si në nivelin rajonal ashtu edhe në atë global.
Mbi 100 civilë u vranë dhe rreth 500 të tjerë morën plagë në sulmin e kryer me armë kimike nga forcat e regjimit në provincën siriane Idlib, që kontrollohet nga opozita.