BallinaLajmeLajmet e FunditVeturat klasike sjellin histori dhe pasion në “Oldtimer Fest 2025” në Prizren

Veturat klasike sjellin histori dhe pasion në “Oldtimer Fest 2025” në Prizren

Edicioni i 20-të i Oldtimer Fest në Prizren është përmbyllur të dielën me ekspozitën e veturave klasike në qendër të qytetit.

Vizitorët e shumtë kanë pasur rastin që të shohin modele të ndryshme veturash, të prodhuara në shekullin e shkuar, por që ende ruhen me kujdes nga pronarët aktualë.

Veturat klasike nga vendi e rajoni, por edhe nga Sllovenia, Hungaria, Franca e Gjermania janë ekspozuar të dielën në Sheshin Shadërvan dhe në Sheshin e Lidhjes, duke zgjuar kërshërinë e shumë vizitorëve.

Sipas organizatorëve në këtë edicion janë prezantuar mbi 100 vetura klasike.

“Pjesëmarrës kemi me mbi njëqind vetura dhe është diçka shumë bukur që po bëhet. Besoj që të gjithë pjesëmarrësit edhe qytetarët e Prizrenit edhe mysafirët nga të gjitha vendet që kanë ardhur për ta vizituar Prizrenin, kanë parë diçka ndryshe këto ditë”, ka thënë Visar Kolshi nga Oldtimer Club Prizren për Telegrafin.

Sipas tij, tradita e kujdesit ndaj veturave klasike është e rëndësishme meqë është pjesë e trashëgimisë kulturo-teknike të Kosovës.

“Është e rëndësishme, se këto janë muze në rrota. Ne kemi edhe shtëpia të vjetra që duhet me i ruajt, edhe ambiente të ndryshme të vjetra, po këto janë muze në vetura. Shumica e kerreve kanë vlera edhe materiale, por kanë edhe vlerë të trashëgimisë, që janë trashëguar prej prindërve, prej familjes dhe kjo thjeshtë e tregon një kulturë të shtetit tonë, të anëtarëve tanë që i ruajnë këto me entuziazëm, këto vetura klasike”, ka deklaruar Kolshi.

Në ekspozitë është paraqitur edhe vetura e Bekim Fehmiut, që planifikohet të restaurohet, sikurse edhe vetura presidenciale e Enver Hoxhës.

“Po, sivjet e kemi pasur në organizim edhe veturën e Bekim Fehmiut, të cilën e ka blerë i ndjeri Bekim Fehmiu zero-zero të re, edhe ajo është për momentin këtu në Prizren edhe po besoj që shumë afër do kemi bashkëpunim me Komunën ose me Ministrinë ku ne jemi të interesuar si klub për me bo restaurimin e asaj veture. Vetura është me vlerë, se ka një histori, si Bekim Fehmiu dhe vetura e tij. Po ashtu vlen të ceket që sot kemi këtu edhe një veturë nga Shqipëria, që ka qenë e regjimit të kaluar të Shqipërisë, të Enver Hoxhës, një makinë e vjetër që është shumë e rrallë prodhim kinez, një veturë presidenciale. Domethënë, ka shumë vetura të bukura të panumërta që marrin pjesë sot”, ka thënë Kolshi për Telegrafin.

Në kuadër të këtij organizimi, të shtunën është mbajtur Forumi Rinor me FIVA, ku në panelin e diskutimit në ITP Prizren është trajtuar mbrojtja e trashëgimisë kulturo-teknike të Kosovës si dhe rëndësia e themelimit të Muzeut të Mjeteve Teknike.


Prizreni pret dashamirët e veturave klasike, Oldtimer Fest shënon 20-vjetorin

Lexo po ashtu
Prizreni pret dashamirët e veturave klasike, Oldtimer Fest shënon 20-vjetorin

Qëllimi i Oldtimer Club Prizren është jo vetëm të promovojë dashurinë për veturat klasike, por edhe të shndërrojë qytetin në një qendër të ruajtjes dhe ekspozimit të trashëgimisë automobilistike, me synimin për të krijuar një muze dedikuar veturave klasike. /Telegrafi/

- Advertisement -