Humanizmi ndër shqiptarë gjithmonë ka qenë prezent. Kjo u dëshmua edhe sot, kur pas transmetimit të kronikës nga RTK-ja mbi kushtet e rënda që jeton veterani i UÇK-së, Sabit Dobruna, nga Malisheva, të gjithë u mobilizuan për t`i dalë në ndihmë.
Gjendja e rëndë sociale e veteranit të UÇK-së, Sabit Dobruna, nga Llozica e Malishevës, që luftonte për mbijetesë, e pasqyruar ditë më parë në lajmet qendrore të RTK-së, preku thellë ndërgjegjen e bashkatdhetarëve tanë. Fatmir Gashi nga Balinca e Malishevës, që jeton në Alborg të Danimarkës, i ndau ia veteranit 3 arë truall në Malishevë për ndërtimin e shtëpisë.
Gatishmëri për ndihmë veteranit shprehën edhe shumë bashkatdhetarë që jetojnë në Perëndim dhe qytetarë të shumtë nga vendi. Kjo ndihmë u konkretizua të dielën në Malishevë, pasi në truallin e dhënë, u vu gurthemeli i shtëpisë, ndërtimi i së cilës do të fillojë së shpejti. Sabit Dobrunës nga Llozica e Malishevës, i cili jeton i vetëm me 4 fëmijë, së shpejti do t`i ndërtohet shtëpia dhe dimri nuk do ta zërë pa kulm mbi kokë.