Veteranët paralajmërojnë protesta të dhunshme nëse nuk u plotësohen kërkesat

Pas takimit që kishin me këshilltarin e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, organizatori i protestës së grupit të ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga rajoni i Drenicës, Faik Zogaj, ka paralajmëruar protesta të dhunshme nëse nuk plotësohen kërkesat etyre brenda 30 ditëve.
Kërkesa e grupit të ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga rajoni i Drenicës ishte të pastrohet lista e veteranëve të rrejshëm brenda 30 ditëve dhe të ngritet aktakuzë për personat të cilët po marrin pagë të veteranit në mënyrë të paligjshme.
“Ne kërkesat që i patëm i dërguam në kuvend. Kuvendi prej tre kërkesave e ka mbështet vetëm njërën atë të pastrimit të listave të veteranëve. Dy kërkesat e tjera atë të lirimit të Sylejman Selimit dhe shkarkimit të Lumezit nuk dhanë asnjë koment”, tha Zogaj.
Ai tregoi se kishte eskaluar situata brenda takimit, duke shtuar se Zogaj po i kërkon të drejtat e tij.

Lexo edheNë 11 shkolla të Kosovës nuk fillon mësimi për shkak të renovimeve
“Unë dola pak prej kontrolle në kuvend por nuk kam faj pasi që unë po kërkoj të drejtat e mia. Brenda 30 dite nëse prokuroria nuk ngrit aktakuzë për veteranët e falsifikuar ne do të veprojmë. Kjo është protesta e fundit sa i përket veteranëve”, shtoi ai.
Në fund Zogaj tha se nuk kanë zgjidhje tjetër, vetëm të protestojnë dhunshëm nëse nuk plotësohen kriteret e kërkuara nga veteranët.
“Rrugë ligjore jemi që tri vjet duke i ndjekur, nëse ka drejtësi bëhet pastrimi i listave. Veprimet tona nuk mundemi me i bo publike. Nuk kemi tjetër zgjidhje duhet me vepru dhunshëm nëse nuk zbatohen kërkesat. Nëse nuk zbatohet kërkesa për pastrimin e listave ne do t’i pastrojmë listat vet dhe e dimë se si ti pastrojmë”./kallxo.com














