Sot iu dha lamtumira e fundit, legjendës së futbollit shqiptar, Fadil Vokrri.
Për ta nderuar, në mesin e mijëra qytetarëve, ishte edhe kryetari i kuvendit, Kadri Veseli, njofton Klan Kosova.
Me anë të disa fotografive nga varrimi të cilat Veseli i postoi në rrjete sociale, ai tha se Fadil Vokrri ishte sinonim i njeriut të ndershëm të Kosovës.
“Sot i dhamë lamtumirën e fundit ikonës së sportit tonë. Fadili ishte sinonim i lajmeve të mira për Kosovën, sinonim i gjërave të bukura të vendit tonë, sinonim i shpresave për një Kosovë që bën historinë në fushën e gjelbërt të sportit më të bukur në botë, futbollit. Para së gjithash, Fadil Vokrri ishte sinonim i njeriut të ndershëm të Kosovës, prandaj dhimbja është e madhe. Jo vetëm familja, por secili që ka pasur rastin ta njohë Fadilin, sot duhet të ndihet krenar se ka një rrëfim për këtë njeri të madh të Kosovës. Do ta vazhdojmë ëndrrën e tij, duke mundësuar që të rinjtë e Kosovës të luajnë në kampionatet e futbollit botëror, të shënojnë gola për ta nderuar vendin tonë dhe kujtimin heroit të futbollit tonë, Fadil Vokrrit. Lavdi”, shkroi më tej Veseli.