Vdes në moshën 99-vjeçare Nexhmije Hoxha, e veja e Enver Hoxhës

Ka vdekur në moshën 99-vjeçare Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit Enver Hoxha.
Mësohet se ish-drejtoresha e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste pranë Komiteti Qendror të PPSH-së, ka vdekur në banesën e saj në Laprakë, raporton TopChannel.
Kush ishte Nexhmije Hoxha?
Nexhmije Hoxha lindi më 8 shkurt të vitit 1921, në Manastir, por prindërit e saj ishin nga Dibra. Në vitin 1928, familja e saj u shpërngul për t’u vendosur në Tiranë. Shkollën e mesme e kreu në Institutin Femëror Pedagogjik në Tiranë. Pas çlirimit të vendit vazhdoi me korrespodencë studimet e larta në Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë-Letërsi. Ka marrë pjesë në mbledhjen themeluese të Rinisë Komuniste të Shqipërisë, 22-23 nëntor të vitit 1941. Gjatë luftës mori pjesë si delegate në të gjitha konferencat kombëtare si atë të Pezës, Labinotit dhe Përmetit.

Lexo edheKonfirmohet rasti i parë me koronavirus në Maqedoni
Pas çlirimit të vendit, ajo kishte kryer funksione të larta partie dhe shoqërore. Në Kongresin e Parë të PKSH-së u zgjodh anëtare e Komitetit Qendror. Për një kohë kishte qenë edhe presidente e Bashkimit të Grave Antifashiste të Shqipërisë. Gjithashtu, ishte përfaqësuese e popullit në Kuvendin Popullor në të gjitha legjislaturat. Ka qenë drejtore e Drejtorisë së Propagandës, Arsim-Kulturës në KQ të PPSH-së. Nga viti 1966 e në vazhdim kreu detyrën e drejtorit të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH-së. Ka kryer edhe veprimtari studimore dhe publicistike. Ka botuar edhe disa libra. Në vitin 1988 u zgjodh kryetare e Frontit Demokratik të Shqipërisë.
Është vlerësuar me 13 dekorata, si dhe Urdhrin “Hero i Punës Socialiste”. Në janar të vitit 1992 u arrestua me akuzën e abuzimit të fondeve dhe u dënua me 9 vjet burg, të cilat u bënë 11 kur ajo apeloi në gradën e dytë të gjykimit. E ndjera u martua me diktatorin Hoxha në 1 janar të vitit 1945, me të cilin pati tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë.














