BallinaLajmeVdekja e punëtorit në Meqë të Gjakovës: Prokuroria ndalon një person, nisin...

Vdekja e punëtorit në Meqë të Gjakovës: Prokuroria ndalon një person, nisin hetimet

Të ngjajshme

Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot fshatin Meqë të Gjakovës, ku një punëtor ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në vendin e punës, ndërsa Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore, duke ndaluar një person të dyshuar.

Prokuroria ka konfirmuar për lajmi.net se është njoftuar nga Policia e Kosovës për rastin dhe se menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Ju njoftojmë se sot më datë 30.04.2026, jemi informuar nga Policia e Kosovës lidhur me këtë rast. Menjëherë pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes ka dalë Prokurori i Shtetit, njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, si dhe Inspektorati i Punës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Sipas njoftimit zyrtar, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndërmarrë veprime të rëndësishme procedurale, përfshirë edhe ndalimin e një personi.

“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML). Po ashtu, është ndaluar një person për 48 orë, për shkak të veprës penale ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’”. bëhet e ditur më tej.

Ndërkohë, sipas informatave fillestare nga Policia e Kosovës, dyshohet se aksidenti ka ndodhur gjatë procesit të punës, kur shoferi i një kamioni ka humbur kontrollin mbi mjetin, duke bërë që ai të rrëshqasë. Si pasojë, një punëtor mashkull, i cili ndodhej në afërsi të kamionit, ka mbetur i bllokuar nën të.

Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar menjëherë Policia, zjarrfikësit dhe ndihma e shpejtë, por mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Ndëkaq Prokuroria e Shtetit ka bërë të ditur se, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera përkatëse, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ndriçimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike. /Lajmi.net/

 

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz