Real Madridi e mposhti Alavesin me rezultatin 2-1 të dielën, duke ruajtur hapin me Barcelonën në garën për titullin e La Ligës.
Nuk ishte një paraqitje bindëse, por në këto rrethana, rezultati ishte gjëja më e rëndësishme për “Los Blancos”.
Kjo u bë e qartë nga Fede Valverde, i cili foli për mediat pas ndeshjes në “Mendizorroza”, sipas “Diario AS”.

“Sot ishte shumë e rëndësishme të vazhdonim të luftonim për La Ligën, me shumë mungesa për shkak të dëmtimeve dhe përjashtimeve. Por skuadra nxori krenarinë, atë dëshirë për të luftuar dhe për të luftuar sërish. Dhe morëm tre pikë shumë të rëndësishme. Ishim shumë të qartë që duhej të dilnim për të fituar, të luftonim për ato tre pikë kyçe për të vazhduar garën për La Ligën. Skuadra këmbënguli, luftoi deri në fund. Punuan me shumë krenari. Në pjesën e parë, para golit 0-1, po luanim shumë mirë dhe më pas u tërhoqëm shumë në mbrojtje. Na u vështirësua të dilnim me topin e kontrolluar. Por gjetëm një gol të madh nga Rodrygo dhe arritëm të fitonim”, tha ai fillimisht.
Valverde pati gjithashtu fjalë të mëdha lavdërimi për Victor Valdepeñas, i cili bëri debutimin e tij me Real Madridin si mbrojtës i majtë.
“Dua ta uroj Valdepeñasin, i cili zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer në debutimin e tij. Jemi shumë pranë tij. Shpresoj që disa të rinj nga akademia të vazhdojnë të kenë edhe shumë mundësi të tjera. Është gjithmonë bukur kur ata debutojnë dhe është një ëndërr për ta. Ne do ta mbështesim në çdo gjë që i nevojitet”, shtoi ai.