Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka ndarë një rrëfim personal për familjen e tij, humbjen e nënës në moshë të re dhe rolin që katër motrat kanë pasur në formimin e tij.
I ftuar në podcastin e Grida Dumës, Ismaili tha se nënën e kishte humbur kur ishte 14-vjeçar, pas një sëmundjeje të pashërueshme, në një kohë kur Kosova kishte kushte shumë të vështira shëndetësore.
“Mua më ka humbur nëna kur i kam pasur 14 vite. Ka pasur një sëmundje të pashërueshme dhe ishte viti 1994”, tregoi Ismaili.
Ai tha se rritja me katër motra, pas kësaj humbjeje, i kishte dhënë një lloj ekuilibri që e ka ndihmuar edhe në jetën politike.
“Rrethimi me katër motra ka qenë fati. Kemi qenë një familje që kemi balancuar njëri-tjetrin dhe ka qenë më e lehtë”, tha ai.
Ismaili tregoi se motra e tij Vlora kishte marrë një rol të veçantë në familje pas vdekjes së nënës, duke u kthyer në një figurë mbështetëse për të dhe për pjesën tjetër të familjes.
Sipas tij, ky formim familjar ka ndikuar edhe në mënyrën se si ai e sheh rolin e grave në politikë dhe në institucione.
“Kur shoh shumë burra rreth një tavoline, mendoj: pse nuk ka gra këtu? Nuk më duket e balancuar, nuk më duket normale”, tha Ismaili, duke shtuar se gjatë kohës kur kishte drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë, shumica e kabinetit të tij kishin qenë gra.