Të martën (26 maj) në Bruksel do të mbahet Konferenca e 8-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian, një moment që konsiderohet vendimtar në procesin e integrimit europian të vendit.
Mbledhja organizohet nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Europian, COREPER, dhe pritet të shënojë çeljen zyrtare të fazës mbyllëse të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Vendimi i vendeve anëtare vjen pas vlerësimit pozitiv të progresit të Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve kyçe të procesit të integrimit europian.
Në fokus të këtij vlerësimi janë forcimi i shtetit të së drejtës, konsolidimi i institucioneve demokratike dhe avancimi i reformave të kërkuara nga Bashkimi Europian.
Një rëndësi të veçantë në raportet e institucioneve europiane zë reforma në drejtësi. Sipas vlerësimeve të BE-së, Shqipëria ka bërë hapa përpara në funksionimin e pavarur dhe efikas të institucioneve të drejtësisë, si edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Përmes kësaj konference, Bashkimi Europian rikonfirmon mbështetjen për perspektivën europiane të Shqipërisë dhe inkurajon vijimin e reformave për forcimin e shtetit të së drejtës, konsolidimin demokratik dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror.
Konferenca e së martës në Bruksel shihet si një tjetër hap i rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt UNIONIT.